5 orë në terr, kaos në Nju Jork

schedule13:55 - 14 Korrik, 2019

schedule 13:55 - 14 Korrik, 2019

Nju Jorku ka përjetuar një nga ndërprerjet më të gjata të energjisë në vitet e fundit. Për 5 orë rresht, qyteti ka kaluar një paralizë që është ndjerë kryesisht në sistemin e metrove dhe akset kryesore rrugore.

Nju Jorku i është kthyer normalitetit pasi një defekt elektrik ndaloi metrotë dhe bllokoi qarkullimin e njerëzve gjatë ditës së shtunë. Gjithashtu, mbi 70 mijë shtëpi dhe biznese ngelën në terr në Manhatan, më e dendura e 5 lagjeve kryesore të qytetit.

Ndërprerja e energjisë zgjati të paktën 5 orë. Ajo ndodhi në përvjetorin e defektit masiv të vitit 1977, që la në terr grataçelat dhe shkaktoi grabitje dhe zjarrvënie në mbarë qytetin.

Pak pas mesnate, rreth orës 6 të mëngjesit me orën tonë, të gjashta rrjetet që ishin prekur nga anomalia u kthyen në funksion. Autoritetet deklaruan se problemi kishte lindur në një nënstacion, por shkaqet e sakta nuk janë identifikuar ende.

Ndërprerja e energjisë la pa drita edhe semaforët dhe çoi në evakuimin e ndërtesave në disa zona të Nju Jorkut. Kryebashkiaku Bill de Blazio deklaroi se Departamenti i Policisë së Nju Jorkut kishte konfirmuar se incidenti nuk ishte i qëllimshëm.

“E gjitha ishte një problem mekanik”, shkroi ai në Twitter.

Si pasojë e defektit, një seri shfaqjesh artistike u anuluan, me spektatorët e kinemave dhe teatreve të ndryshme që u lanë të prisnin në shëtitoret e qytetit. Këngëtarja Jennifer Lopez deklaroi se ndihej e “shkatërruar dhe zemërthyer” që ndërprerja e energjisë e detyroi të anulonte performancën e saj në Medison Square Garden./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!