Grafite me mbishkrimin “Wagner” janë shfaqur në Mitrovicë të Veriut dhe në Zveçan. Policia e Kosovës ka thënë se njësiti policor i hetimeve po merret me rastet, derisa i ka cilësuar si “Nxitje e urrejtjes dhe përçarjes ndëretnike”.
Bëhet e ditur se në Mitrovicë të veriut grafitet janë vendosur në mure të objekteve nga persona të panjohur deri më tash.
“Mitrovicë Veri 22.01.2023 – NN. Është raportuar se në mure të objekteve nga persona deri më tani të panjohur, janë shkruar mbishkrime me ngjyrë të kuqe ‘WAGNER’. Njësiti policor i hetimeve po merret me rastin, po ashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.
“Zveçan 22/23.01.2023 – NN. Është raportuar se në në tabelat e komunikacionit nga persona deri më tani të panjohur, janë shkruar mbishkrime ‘WAGNER’. Njësiti policor i hetimeve po merret me rastin, po ashtu është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet po aty.
Kujtojmë se gjatë barrikadave në veri të Kosovës, të cilat ishin ngritur nga serbët vendas në organizimin e grupeve kriminale dhe Beogradit, kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarët e grupit “Wagner”.
Aktivitetet e grupit “Wagner” janë vënë sërish në qendër të vëmendjes së publikut botëror pas pushtimit rus të Ukrainës.
/Kosovapress