Vodhi 6 banesa dhe biznese të njohura në Kavajë, arrestohet në flagrancë 30-vjeçari

schedule09:49 - 21 Janar, 2023

schedule 09:49 - 21 Janar, 2023

Një 30-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë ditën e sotme, pas 6 vjedhjeve të kryera në qytetin e Kavajës.

Mësohet se ai ka vjedhur banesa dhe biznese të njohura në qytet gjatë periudhës gusht 2022-janar 2023.

Ndërkohë, në bashkëpunim me Prokurorinë, policia po vijon punën për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “The last”, për zbardhjen e 6 vjedhjeve të ndodhura në qytetin e Kavajës, gjatë periudhës gusht 2022-janar 2023.

Vodhi në mënyrë të përsëritur, në banesa dhe në biznese të ndryshme, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 30-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, nga kryerja e veprimeve hetimore profesionale, të iniciuara nga denoncimet e qytetarëve të ndryshëm, për raste vjedhjesh, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “The last”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi:

– Xh. K., 30 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale “Vjedhja”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore, rezultoi se në kohë dhe në vende të ndryshme, 30-vjeçari ka kryer një sërë vjedhjesh, 6 prej të cilave janë zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore.

Prej muajit gusht 2022 deri në momentin që u kap në flagrancë, nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, ky shtetas ka vjedhur 2 biçikleta, si dhe sende të ndryshme në 2 banesa dhe në 2 biznese, në Kavajë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!