Moska i dorëzon Ankarasë pjesën e parë të raketave ruse S-400

schedule15:10 - 12 Korrik, 2019

schedule 15:10 - 12 Korrik, 2019

Mbërrin në Turqi pjesa e parë e sistemit të raketave për mbrojtjen tokë ajër, nga Rusia. Ministri i jashtëm turk, por dhe Ministria e Mbrojtjes konfirmuan nisjen e procesit që do të vazhdojë disa ditë duke theksuar se nuk ka pasur asnjë problem.

Procesi i dorëzimit të sistemit raketor rus për mbrojtjen anti ajrore S-400 në Turqi, ka nisur mëngjesin e të premtes dhe do të vazhdojë dhe në ditët në vijjim. Raketat e para mbërritën në bazën e Murted Hava, 35 kilometra në veri lindje të kryeqytetit Ankara. Ministria turke e mbrojtjes në një deklaratë për media konfirmoi se dorëzimi i pjesës së parë ka nisur me sukses dhe se në ditët në vijim do të jenë autoritetet kompetente që do të vendosin se si do të përdoret.

Sipas mediave turke, për instalimin dhe aktivizimin e plotë të raketave duhet pritur të paktën deri në tetor. Presidenti Erdogan mbrojti këtë vendim duke thënë se është i domosdoshëm për të garantuar sigurinë kombëtare dhe sovranitetin e vendit.

Ministri i jashtëm turk gjithashtu konfirmoi fillimin e procedurës së dorëzimit së sistemit mbrojtës nga Rusia në Turqi duke theksuar se nuk kishte pasur asnjë problem.

Blerja nga Ankaraja e sistemit S-400 ka krijuar polemika me Shtetet e Bashkuara të Amerikës muajt e fundit të cilat pretendojnë se ai nuk përputhet me sistemet që përdoren nga NATO. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!