Borrell: Europa është e gatshme të dërgojë tanke në Ukrainë

schedule14:41 - 20 Janar, 2023

schedule 14:41 - 20 Janar, 2023

Disa vende europiane janë të gatshme të dërgojnë tanke në Ukrainë, tha të premten shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, duke shtuar se ai shpresonte se vendimi do të merrej gjatë bisedimeve të ministrave të mbrojtjes në bazën ajrore Ramstein në Gjermania.

NATO dhe shefat e mbrojtjes të rreth 50 vendeve do të takohen sot në Ramstein për të koordinuar ndihmën ushtarake për Ukrainën ndërsa lufta vazhdon.

Në qendër të bisedimeve është nëse Gjermania do të lejojë dërgimin në Ukrainë të tankeve Leopard 2 të prodhimit gjerman, të cilët përdoren nga forcat e armatosura në të gjithë Europën.

Megjithatë, një zëdhënës i qeverisë gjermane tha sot në Berlin se dorëzimi i Leopardëve në Ukrainë nuk ishte kurrë i kushtëzuar nga Shtetet e Bashkuara që të bënin një lëvizje të ngjashme me tanket amerikane Abrams.

“Ky debat do të zhvillohet sot në Ramstein. Ne duhet t’i japim Ukrainës armët e nevojshme jo vetëm për të zmbrapsur, gjë që po bën, por edhe për të fituar terren ”,u tha Josep Borrell gazetarëve në Madrid, duke iu referuar luftës së Ukrainës kundër pushtimit rus.

“Unë besoj se Ukraina ka nevojë për armët luftarake dhe tanket e rënda që ka kërkuar dhe disa vende europiane janë të gatshme t’i japin dhe shpresoj se ky është vendimi që është marrë,” shtoi ai.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!