Plarent Dervishaj për të cilin SPAK ka lëshuar një urdhër-arresti duke e implikuar në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj, është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.
Dervishaj, ish-anëtar i Bandës së Durrësit, është shpallur në kërkim ndërkombëtar po me urdhër të Prokurorisë Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), edhe për vrasjen e Klodian Saliut.
Dosja për vrasjen e bujshme të ndodhur në 26 Shkurt të vitit 2005 u hap pas rrëfimit të bashkëpunëtorit të drejtësisë Luftar Reçi i cili deklaroi se ekzekutimi i ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës është bërë nga Plarent Dervishaj dhe Indrit Taullai me urdhër të Lulzim Berishës.
Sipas Reçit, Dervishaj ka qenë bashkëpunëtor edhe në përgatitjen e bombës së vendosur për një tjetër vrasje të bujshme të ndodhur në vitin 2005, atë të biznesmenit Vajdin Lamaj e cila sipas tij është porositur nga Lulzim Berisha dhe më pas është marrë nga Emiljano Shullazi.
Plarent Dervishaj u arrestua në Dubai, por u la i lirë, për shkak të vonesave në mbërritjen e letërporosisë në Dubai nga Shqipëria. Pavarësisht këtij zhvillimi, SPAK vijon hetimet për dy ngjarjet e bujshme, vrasjen e Klodjan Saliut dhe Valdin Lames në Tiranë dhe së fundmi edhe për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja./abcnews.al