Ambasadorja amerikane Yuri Kim, është parë shpesh të udhëtojë në zona të ndryshme të Shqipërisë. Shumë prej takimeve ajo I ka ndarë edhe përmes rrjeteve sociale, ndërsa në studion e emisionit Real Story me gazetarin Sokol Balla, ndau sot detaje të këtyre takimeve.
Ambasadorja Kim tha se në takimet me njerëz të ndryshëm, të gjithë thonë se kanë padurim që reforma në drejtësi të zbatohet plotësisht, dhe SHBA shtoi më tej ajo është krah popullit shqiptar dhe e mbështet plotësisht këtë.
Sa i takon arrestimeve për të ashtuquajtur ‘peshq të mëdhenj’, Kim tha është e rëndësishme të mbajmë mend se diçka kaq radikale sa reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur.
“Po shohim ish-ministra, njerëz të fuqishëm, anëtarë të parlamentit, oficerë policie, politikanë, drejtues të krimit të organizuar, disa njerëz të biznesit, të dalin në gjyq dhe të shkojnë në burg. Dhe kur thua se asgjë s’ka ndodhur…” theksoi ambasadorja Kim.
Pjesë nga Intervista:
Ambasadorja Yuri Kim: Dakord, kur udhëtoj nëpër Shqipëri, përpiqem të krijoj mundësinë që të takoj njerëz të zakonshëm. Flas me zyrtarë, sigurisht, është pjesë e punës sime, por mendoj se ka vërtet rëndësi të flas me njerëz të zakonshëm dhe të gjej se ç’kanë në mend, si ndihen. Dhe të gjithë më thonë se sa padurim kanë që reforma në drejtësi të zbatohet plotësisht.
Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë. Jemi plotësisht në krah të popullit shqiptar. Jo vetëm sepse reforma në drejtësi është kërkesë që Shqipëria të hyjë në BE. Jo vetëm sepse është me vend për Shqipërinë si anëtare e NATO-s dhe aspirante për në BE, anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që të ketë një sistem drejtësie që i shkon për shtat atij statusi. Por edhe sepse kjo është kërkesa e fortë e popullit shqiptar. Dhe mund t’ju them që Shtetet e Bashkuara do të jenë gjithmonë në krah të popullit shqiptar.
Sokol Balla: Dakord, kështu që e kuptoni pyetjen time, si pjesë e popullit shqiptar, që mbështetja jonë për reformën do të jetë gjithnjë aty, pas më shumë se katër vjet nga fillimi i funksionimit të institucioneve të reja si Gjykata, SPAK e të tjerat. Do donim vërtet të shihnim rezultate.
Ambasadorja Yuri Kim: Dhe po i shihni. Sapo jua tregova rezultatet.
Sokol Balla: Po, e di. Unë si gazetar, dhe kjo është një nga gjërat që përpiqem të shpjegoj, them që gjithmonë ka të bëjë me ndjekjen e parasë. Nuk më pëlqen të flas për njerëzit në burg, nuk më pëlqen, edhe njerëzit që mendoj se e meritojnë të jenë atje. Nuk është se më pëlqen t’i shoh pas hekurave, por kjo është me shumë rëndësi – ndjekja e parasë, marrja e parave atyre, paratë që mund të përdoren për aktivitete kriminale apo para që mund të përdoren për të pastruar imazhin e vetes, si ndërtimi i mediave e portaleve e faqeve të internetit dhe televizioneve e radiove për të pastruar imazhin e tyre të pisët. Por në fund të ditës, Zonja Ambasadore, siç e dini, dhe siç keni folur me njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, ata duan të shohin pas hekurave ata që janë përgjegjës. Dhe për të qenë i sinqertë, kjo nuk ka ndodhur ende.
Ambasadorja Yuri Kim: Nuk bie dakord me ty.
Sokol Balla: Dakord? E di që nuk bini dakord, por bini dakord me mua në parim, jo thjesht si gazetar, por edhe si qytetar shqiptar që mbështet reformën, që duam të shohim peshqit e mëdhenj pas hekurave, jo peshqit e vegjël – gjithnjë e kujtoj këtë sarkazmën me Rovena Vodën, ish-zëvendës ministre e brendshme. Për atë zot, dakord që e bën, por a është mënyra e duhur për t’i filluar gjërat? A duhet të nisim nga peshqit e mëdhenj?
Ambasadorja Yuri Kim: Mendoj se ka rëndësi që të mbajmë në mend dhe të jemi realistë dhe të kuptojmë që diçka kaq radikale sa reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur. Është si të thuash që një vrapues duhet ta nisë nga maratona. Nuk fillohet aty. Po e bëre, do dështosh. Duhet të ndërtosh forcën. Dhe ajo që shohim në statistika, në rezultatet reale që shihni nga SPAK dhe vende të tjera, është se ata që përfshihen në korrupsion dhe krim të organizuar, ata që vjedhin nga qeveria, nga populli, nga Shtetet e Bashkuara, po fillojnë të përballen me drejtësinë. Po shohim ish-ministra, njerëz të fuqishëm, anëtarë të parlamentit, oficerë policie, politikanë, drejtues të krimit të organizuar, disa njerëz të biznesit, të dalin në gjyq dhe të shkojnë në burg. Dhe kur thua se asgjë s’ka ndodhur…
Sokol Balla: Nuk e thashë këtë.
Ambasadorja Yuri Kim: Nuk është e vërtetë.
Sokol Balla: Jo mjaftueshëm.
Ambasadorja Yuri Kim: Nuk ka ndodhur mjaftueshëm. Jam dakord me ty. Dakord 100% për këtë. Prandaj Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin fort reformën në drejtësi. nuk do të heqim dorë sepse e dimë që populli shqiptar nuk do të heqë dorë.
Sokol Balla: Zonja ambasadore, ju më njihni edhe personalisht në këto dy – tre vjet. Dhe e dini që unë përpiqem të jem sa më objektiv që mundem. Por në këtë vend, kur vjen fjala tek reforma në drejtësi dhe tek opinionet, duket sikur ka rëndësi vetëm opinion i së djathtës, dhe i të majtës jo, jo i politikanëve, dua të them i njerëzve.
Ka njerëz nga e djathta që thonë, e dini, shumë mirë, ka ministra, deputetë, zyrtarë të lartë, ish-zëvendës ministra në burg për korrupsion. Por pastaj, kur sheh nga e djathta dhe sheh se çfarë akuzash ka pasur për këta njerëz nga e djathta në këtë dhjetëvjeçar të fundit, atyre nuk u ndodh asgjë.
Ambasadorja Yuri Kim: Nuk jam dakord me ty. Mendoj se nëse sheh gamën e përgjithshme të njerëzve që janë detyruar të përballen me drejtësinë, nuk është e vërtetë. Por reealiteti është ky, që këto çështje marrin kohë për t’u ndërtuar sepse disa prej tyre janë injoruar në ndër vite dhe duhet kohë për të rindërutar çështjet, për të grumbulluar faktet.
Dhe ajo që theksojmë me të gjitha institucionet e drejtësisë është se duhet të ndjekin faktet; duhet të ndjekin ligjin; dhe duhet të japin drejtësi. Nuk i themi ndonjërit nga këto institucione se cilat çështje të ndjekin. Nuk kemi këtë detyrë. Dhe nuk kemi punë me këtë. Puna dhe detyra jonë është të themi se duhet të ketë sundim të ligjit në këtë vend; që është koha që pandëshkueshmëria të marrë fund. Dhe besojmë se reforma në drejtësi po fillon të japë rezultate. Edhe një herë, shikoni faktet. Mos u shpërqendroni nga propaganda nga të gjitha anët. Ka disa njerëz që duan që ju të beson ise reforma në drejtësi nuk ka për të ndodhur. Ndaj injorojnë faktet dhe thonë se asgjë s’ka ndodhur kështu që është okay të thuash se s’do ndodhë gjë.
Por faktet tregojnë një histori tjetër. Tregojnë historinë se pandëshkueshmërisë po i vjen fundi. Tregojnë historinë e zyrtarëve të lartë të shqetësuar. Kam dëgjuar plot histori për njerëz që nuk i zë gjumi, duke vrarë mendjen nëse e kanë radhën ata për shpalljen tjetër non-grata apo për ndjekje penale. Dhe nëse je i shqetësuar, me shumë gjasë ke arsye të forta për t’u shqetësuar. Dhe do t’iu thoja përsëri të gjithë prokurorëve, gjyqtarëve, hetuesve: bëni punën tuaj!/abcnews.al