Universiteti i Kolumbias emëroi si presidente ish-zëvendës guvernatoren e Bankës së Anglisë dhe aktualisht presidente e Universitetit Ekonomik të Londrës, Nemat “Minouche” Shafik.
Kjo është hera e parë që institucioni prestigjioz akademik amerikan zgjedh një grua si presidente.
Zonja Shafik, një ekonomiste karriera e të cilës është përqendruar në politikën publike dhe studimet akademike, do të jetë presidentja e njëzetë e Universitetit të Kolumbias duke nisur nga 1 korriku, tha institucioni përmes një deklarate të mërkurën.
Zonja Shafik e nisi karrierën e saj në Bankën Botërore, duke u bërë nënpresidentja më e re e këtij institucioni, në moshën 36 vjeçare. Ajo më vonë shërbeu edhe si zëvendës drejtore ekzekutive e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe si zyrtare e lartë në Departamentin për Zhvillim Ndërkombëtar të Mbretërisë së Bashkuar.
Emërimi i zonjës Shafik vjen pasi institucione të tjera arsimore kanë emëruar kohët e fundit gra në krye të universiteteve kryesore, përfshirë Universitetin e Harvardit, i cili muajin e kaluar emëroi Claudine Gay si presidente. Ajo u bë gruaja e parë afro-amerikane që mban postin kryesor të Harvardit.
Jonathan Lavine, kryetar i Bordit të Univesitetit të Kolumbias, e cilësoi zonjën Shafik, 60 vjeç, si “kandidaten e përsosur”.
“Ajo që e veçoi zonjën Shafik si kandidate ishte besimi i saj i patundur në rolin jetik që institucionet e arsimit të lartë mund dhe duhet të luajnë për t’i dhënë zgjidhje problemeve më komplekse të botës,” shtoi zoti Lavine.
Zonja Shafik ka lindur në Aleksandri, në Egjipt./VOA