Vendet anëtare të NATO-s do t’i ofrojnë Ukrainës “armë të rënda dhe më moderne” për ta ndihmuar atë kundër sulmeve nga Rusia , njoftoi më herët të mërkurën sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.
“Grupi i kontaktit për Ukrainën do të takohet (të premten) në Ramstein (baza amerikane në Gjermani) dhe mesazhi kryesor do të jetë mbështetja jonë e shtuar, me armë të rënda dhe më moderne”, tha Stoltenberg në Forumin Ekonomik të Davos.
Këto diskutime do të fokusohen në shpërndarjen e sistemeve të blinduara dhe moderne të mbrojtjes ajrore.
Britania tashmë ka premtuar të sigurojë 14 tanke Challenger 2 dhe Polonia thotë se është gati të dërgojë 14 tanke Leopard 2 të prodhimit gjerman në Ukrainë nëse Berlini jep leje për dorëzimin e tyre. Kancelari gjerman Olaf Scholz, në fjalimin e tij më parë, nuk e përmendi këtë çështje.
“Do të ishte shumë e rrezikshme të nënvlerësohej Rusia. Vladimir Putin po planifikon sulme të reja dhe është gati të sakrifikojë rininë e tij. Ajo ka rekrutuar më shumë se 200,000 luftëtarë dhe blen armë nga regjimet autoritare si Irani. Situata është urgjente. Ukraina ka nevojë për më shumë mbështetje. Kjo është një betejë për vlerat tona. Demokracia duhet ta mposhtë tiraninë”, theksoi Stoltenberg në fjalimin e tij./abcnews.al/