Gjykata e Lezhës ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Antonio Lekën, 36 vjeçari që u kap me armë dhe që kishte deklaruar se do të vriste politikanët. Gjyqtari Artan Hajradinaj ka pranuar kërkesën e prokurorit Françesk Ganaj për ta lënë në burg pa afat 36 vjeçarin që nuk ka folur asnjë fjalë në Gjykatë.
Gazetari Gjergj Figuri raporton se avokati i tij Eduart Karaçi ka kërkuar ekzaminim të situatës së klientit të tij me pretendimin se në momentin e veprimeve të tij ka qenë në gjendje jo të mirë psikologjike. Kujtojmë që 36 vjeçari u ndalua nga policia me 9 Janar.
Atij i janë sekuestruar arsenal armësh, municion luftarak, dylbi, antiplumb, helmetë, thikë, lëndë narkotike, rroba kamuflazhi ushtarake dhe sende të tjera. Kanë qenë familjarët e 36 vjeçarit që kanë lajmëruar policinë pasi e kanë parë duke futur armë dhe municione në fugon.
Në makinë ka hyrë dhe e ëma, e cila në momentin e ndalimit është munduar ta mbrojë duke deklaruar se armët janë të sajat dhe se i dispononin pasi punonin me forcat e ushtrisë. 36 vjeçari akuzohet për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”,“Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Përgatitja e kushteve për vrasje”. /abcnews.al