Presidenti Ilir Meta mori pjesë në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore ku ka evidentuar mungesën e Kosovës.
Mungesën e Kosovës në Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore e vuri në dukje Presidenti Ilir Meta. Në Sarajevë të Bosnje dhe Hercegovinës ku marrin pjesë kryetarët e shteteve të vendeve të Europës Juglindore presidenti Meta kërkoi nga të pranishmit që ta trajtojnë me respekt fqinjin.
“Në këtë këndvështrim dua të shpreh keqardhjen për faktin se Republika e Kosovës, Kryesuesja jonë e ardhshëm, u detyrua të mos marrë pjesë në këtë Samit. Si mund të pretendojmë që të kemi një bashkëpunim të efektshëm ku disa nga pjesëmarrësit e këtij forumi bëjnë të pamundurën për të përjashtuar një popull dhe një shtet të tërë fqinj nga përfitimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe projektet rajonale në fusha kaq të rëndësishme si siguria, arsimi, kultura”.
Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetëfqinjët e saj. Tani është koha e duhur nënvizoi presidenti që jo vetëm Bosnja dhe Hercegovina, që duhet të kishte bërë të gjitha përpjekjet për të garantuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit, por edhe çdo vend tjetër të bëjë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të këtij realiteti./ABC News Albania 24/7