Modelja Kinsi Volanski nuk arriti ta realizonte planin e saj në Kupën e Amerikës. Ajo u ndalua nga autoritetet për të hyrë në fushë gjatë finales mes Brazilit dhe Perusë, ndërsa ia kishte dalë në finalen e Championsit.
Kjo finale shpëtoi nga një tjetër spektakël bosh.
Brazil-Peru ishte thjesht një shfaqje futbolli në stadiumin “Marakana” të Rio de Zhaneiros, ndërsa autoritetet ndaluan një tjetër pushtim të fushës, siç ndodhi në finalen e Championsit në Madrid.
Modelja amerikane Kinsej Volanski lajmëroi në Instagram se autoritetet braziliane ia dogjën planin për të hyrë gjysmë apo thuajse e zhveshur në terrenin e “Marakanës”.
Ajo madje postoi foto duke treguar se e kishin izoluar në burg për pak kohë, dhe se pastaj kishte dalë pa probleme nga qelia.
Ndryshe ndodhi në fillim të qershorit në stadiumin “Uanda Metropolitano”, në kryeqytetin e Spanjës, ku Liverpuli dhe Totenhemi luajtën finalen e Ligës së Kampionëve.
Volanski arriti ta realizonte planin e saj, për të hyrë në fushë e veshur fare lehtë, ndërsa u arrit të ndalohej vetëm pasi kaluan shumë sekonda.
Më pas, u shoqërua për në qeli edhe në Madrid, duke mos e pasur problem, sipas parimit “qëllimi justifikon mjetin”, apo “burgu për njerëzit është”.
Falë këtij moment 5-minutësh, ajo thuhet se mori 4 milionë dollarë, një arritje e madhe në epokën e tregtimit të gjithçkaje.
Natyrisht, Volanski nuk është një UFO e ardhur nga qielli, por një vajzë e shkathët që përfiton nga fama, edhe kur ajo është pa përmbajtje, kjo thjesht sepse njerëzit rendin pas ngjarjeve gjoja të bujshme, që nuk të mësojnë asgjë, njëlloj si fluturat shkojnë drejt zjarrit./ABC News Albania 24/7