Fondacioni “Soros” i ka cilësuar si “të çuditshme” akuzat e presidentit Meta ndaj themeluesit Xhorxh Soros, se po organizonte një përplasje civile në Shqipëri. Në reagimin e tij, fondacioni ka deklaruar se misioni i tij është të ndihmojë në reformat në sektorë të ndryshëm, përfshirë atë në drejtësi.
Fondacioni “Shoqëria e Hapur”, i njohur ndryshe edhe si fondacioni “Soros” e ka cilësuar si të “çuditshme” deklaratën e presidentit të Shqipërisë Ilir Meta, që akuzonte themeluesin Xhorxh Soros për ndërhyrje në zhvillimet e brendshme të Shqipërisë e veçanërisht në reformën në drejtësi.
Në një reagim zëdhënësja e fondacionit, Laura Silber ka deklaruar se “Shoqëria e Hapur” është krenare për rolin që ka luajtur në mbështetje të sistemit gjyqësor në Shqipëri, që siç ka vënë në dukje ajo, është një kërkesë e domosdoshme për hapjen e negociatave me BE-në.
“Karakterizimi që presidenti Meta i ka bërë kësaj përpjekjeje kaq publike si një komplot, është i çuditshëm. Ne presim që të takohemi në të ardhmen e afërt me presidentin Meta, në bazë të ftesës që na ka dërguar”, ka thënë zëdhënësja Silber.
Fondacioni për një Shoqëri të Hapur është një rrjet ndërkombëtar organizatash jofitimprurëse, të pavarura, joqeveritare dhe jopolitike që mbështesin financiarisht grupe të shoqërisë civile në sektorë të drejtësisë, arsimit, shëndetit publik dhe shtypit të pavarur në mbarë botën. Në Shqipëri Fondacioni “Soros” e zhvillon aktivitetin e tij që prej vitit 1994.
Meta e akuzoi zotin Soros se qëndronte pas “një komploti të kurdisur prej kohësh për të ushqyer përplasjen civile më 30 qershor, si dhe për të ndikuar reformën në drejtësi”./abcnews.al