Kreu i opozitës Lulzim Basha në fjalën e mbajtur, në protesten e sotme të opozitës e cila u zhvillua përpara kryeministrisë, ka dhënë edhe disa mesazhe.
Sipas Bashës abuzuesit me pushtetin duhet të përgatiten për ditën e gjykimit dhe se me ardhjen në pushtet të opozitës, do i jepet fund politikës së të fortëve. Basha theksoi se qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e lira, do të hapë menjëherë negociatat me BE-në dhe do e fusë vendin në rrugën e përparimit dhe zhvillimit.
“Përgatituni për ditën e gjykimit! Drejtësia ka vonuar, por drejtësia nuk do të mungojë! Ne do t’ju shtypim pa mëshirë! Do ta pastrojmë Shqipërinë nga fara juaj shkatërrimtare! Fund të fortëve të rrugës! Fund të fortëve të politikës! Fund të fortëve të medias! Fund të fortëve të biznesit! Për të patur një qeveri të popullit duhet, në radhë të parë një reformë zgjedhore dhe reformë e partive.
Këto reforma do të garantojnë mundësinë e kujtdo për t’u zgjedhur. Do të sigurojnë që paratë e krimit dhe oligarkëve të mos kenë rol në zgjedhje. Administrata dhe burimet qeveritare të mos kenë rol në zgjedhje. Mediat të mos jenë instrument i manipulimit të votuesve.
Kjo do të jetë sfida e parë pas largimit të Edi Ramës nga pushteti. Do të jetë sfidë e vështirë, por ne do ta realizojmë. Zgjedhjet e lira e të ndershme do t’i hapin rrugën transformimit politik dhe ekonomik që ka nevojë Shqipëria, ndryshimit që kërkojnë shqiptarët. Qeveria që do të dalë nga zgjedhjet e lira, do të hapë menjëherë negociatat me BE-në, do ta fusë vendin në rrugën e përparimit dhe zhvillimit”, theksoi Basha në fjalën e tij.
Kjo është protesta e 10 kombëtare e opozitës së bashkuar dhe e para që pas zgjedhjeve të 30 qershorit./abcnews.al