Hiqen kufizimet anti-covid ne Kinë: Rinovim masiv i pasaportave

schedule11:43 - 9 Janar, 2023

schedule 11:43 - 9 Janar, 2023

Janë krijuar radhë të gjatë këtë mëngjes jashtë zyrave të imigracionit në Pekin ,me qytetarë të etur për të rinovuar pasaportat e tyre pasi Kina hoqi kontrollet kufitare të COVID -19 që penguan efektivisht 1.4 miliardë njerëzit e saj të udhëtonin për tre vite.

“Rihapja” e Kinës është një nga hapat e fundit që Pekini ka ndërmarrë pas lehtësimit të masave “zero COVID” , një proces që filloi muajin e kaluar pas protestave historike kundër kufizimeve.

Duke pritur për të rinovuar pasaportën e tij në një radhë prej më shumë se 100 personash në kryeqytetin kinez, pensionisti 67-vjeçar Yang Jianguo tha për Reuters se planifikon të udhëtojë në SHBA për të parë vajzën e tij pas 3 vitesh.

“Ai u martua vitin e kaluar, por u desh ta shtynte ceremoninë e dasmës sepse ne nuk mund të merrnim pjesë. Jemi shumë të lumtur që mund të shkojmë tani”, tha Young.

Tregjet e këmbimit valutor dhe të aksioneve të Kinës u rritën sot pasi investitorët kanë vënë bast se rihapja do të ndihmojë në rritjen e ekonomisë prej 17 trilion dollarësh, i cili po shënon ritmet më të ngadalta të rritjes në gati gjysmë shekulli.

Masa e Pekinit për të hequr karantinën e detyrueshme për vizitorët nga jashtë pritet të rrisë udhëtimet drejt destinacioneve jashtë vendit, pasi banorët nuk do të përballen me ato kufizime kur të kthehen.

Zyrtarisht, Kina ka raportuar vetëm 5,272 viktima që nga 8 janari, një nga nivelet më të ulëta të viktimave nga Covid në mbarë botën. Por Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se shifrat e shpallura nga Kina nuk pasqyrojnë realitetin dhe virologët nga e gjithë bota vlerësojnë se më shumë se një milion njerëz në vend mund të vdesin nga sëmundja këtë vit.

/abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!