Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka në konferencën që po mban me kryenegociatoren me BE-në, Majlinda Dhuka u pyet nga gazetarët për njoftimin e bërë nga ministria lidhur me nisjen e procedurave të largimit të Yuri Kim si ambasadore e SHBA-ve në Shqipëri.
Duke iu referuar reagimeve që solli në radhët e opozitës, ministrja u shpreh se njoftimi mund të mos ishte bërë por gjykuan se ishte “vendi për t’i prerë rrugën thashethemeve”.
“Nuk kërkon ndonjë shkencë për të kalkuluar se kur fillon dhe mbaron mandati i një ambasadori që ka një vëmendje të veçantë. I mirëkuptoj ata që mendojnë se mund të mos kishim bërë një njoftim të tillë por s’kemi thënë asgjë më shumë se ajo që u tha në media dhe përpara se ky informacion të bëhej i ditur nga ne. Ka qenë në ministri prej shumë kohësh dhe media s’e ka ditur.
E bëmë të njohur kur kaloi përtej ministrisë të jashtme. Tek ne kanë filluar telefonatat, kërkesa për informacion dhe teori komploti dhe lobimesh. Në këto kushte, gjykuam që ishte vendi për t’i prerë këto thashetheme duke thënë se nuk ishte asgjë e jashtëzakonshme.
Thjesht i kemi vënë kapak disa thashethemeve të shëmtuara që i bëheshin këtij procesi dhe se nuk ka gisht askush këtu përveç vendit që do të ripërtërijë trupën e vet diplomatike.“, tha Xhaçka./abcnews.al