Vrasja e Edmond Papës, arrestohet 30 vjeçari nga Përmeti, shpallet në kërkim bashkëautori

schedule09:52 - 3 Janar, 2023

schedule 09:52 - 3 Janar, 2023

Dy javë nga vrasja e Edmond Papës në një lokal në zonën e Selitës, policia e Tiranës ka zbardhur ngjarjen duke arrestuar një nga autorët dhe një tjetër është shpallur në kërkim.

Sipas policisë, Albano Velo 30 vjeç, që është vënë edhe në pranga, ka mbajtur në vëzhgim lëvizjet e viktimës, ndërsa 44-vjeçari me inicialet A. B., I shpallur në kërkim, dyshohet se është personi që ka qëlluar për vdekje Papën.

Velo është arrestuar pasditen e 31 dhjetorit në Aeroportin e Rinasit, ndërsa ishte larguar drejt Francës katër ditë pas vrasjes së Papës. Këtë të martë, ai ka dalë përballë gjykatës ku është njohur me masën e arrestit në burg. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, Velo ka mohuar akuzat, duke thënë se nuk ka lidhje me ngjarjen. Pavarësisht pretendimeve, gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë, që paraqiti si provë kamerat e sigurisë të sekuestruara në zonën ku u ekzekutua Edmond Papa si dhe një sërë përgjime telefonike dhe ambinetale. Hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë dhe automjetin tip ‘Audi’ që dyshohet se është përdorur nga autorët para dhe pas krimit si dhe 3 aparate celular.

Ndërkohë hetuesit kanë dyshime se vrasja e biznesmenit Papa që njihej edhe për të shkuarën e tij kriminale mes Greqisë dhe Anglisë mund të ketë lidhje me përplasjet mes anëtarëve të grupeve kriminale në vendin tonë. Nga ana tjetër 30-vjeçari Velo njihet si lidhje e afërt me Aleksandër Sadikajn, të riun që mbeti I vrarë nga një shpërthim i telekomanduar teksa po lëviste me makinën e tij në hyrje të Tiranës në qershor të këtij viti.

Albano Velo është djali i një efektivi policie që ushtron detyrën në komisatiatin numër 4 në kryeqytet.
Dilaver Velo me gradën isnpektor është pezulluar nga detyra pas arrestimit të të birit dhe ndaj tij po zhvillohen hetime nga drejtoria e standareteve ne policinë e shtetit.
Si u ekzekutua Edmond Papa

Papa u ekzekutua mbrëmjen e 16 dhjetorit në hyrje të një lokali në rrugën “Fadil Bodinaku“ Tiranë. Ai sapo ishte ulur në lokal kur u qëllua me 9 plumba nga një person i maskuar. Edhe pse 49 vjeçari u dërgua në Spitalin e Traumës, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.

Biznesmeni me origjinë nga Rroskoveci, jetonte mes Sarandës dhe Anglisë. Ai kishte ardhur në Tiranë më 16 Dhjetor tek vëllai i tij, që banonte pak metra larg lokalit ku u qëllua për vdekje. Dëshmitarët okularë i treguan policisë se ai iu kundërpërgjigj autorit, duke e qëlluar me tavllën e duhanit në tavolinë.

Hetimet ishin fokusuar në dy pista. Ajo e konflikteve të mundshme për shkak se 49 vjeçari zotëronte disa prona në Ksamil, si dhe hotelin Blu Sky në Sarandë. Pista e dytë janë konfliktet për drogën. Biznesmeni Edmond Papa ka qenë dënuar më parë në Greqi për trafik të lëndëve narkotike.

Po ashtu dyshohet se vrasja e tij ka lidhje me ekzekutimin e dy shqiptarëve, Kreshnik Çerçizaj dhe Armando Organja pak ditë më parë në Greqi. Të tre ekzekutimet dyshohet të kenë ndodhur për zhdukjen e 700 kilogramëve kanabis. Urdhri dyshohet se ka dalë nga burgu grek, nga një tjetër shqiptar.

Grupi hetimor ka dyshimet se vrasjet e tyre kanë lidhje me njëra-tjetrën, pasi Papa, Çerçizaj dhe Ogranaja kanë pasur lidhje miqësore më herët. Pjesë të këtij hetimi është edhe vrasja e Aleksandër Sadikajt, makina e të cilit u hodh me tritol në qershor të vitit të kaluar në Tiranë.

Njoftimi i policisë: 

“Zbardhet ngjarja e ndodhur më 16 dhjetor 2022, ku mbeti i varë me armë zjarri shtetasi Edmond Papa

Finalizohet operacioni policor i koduar “EAGLE EYES”

Identifikohet dhe ndalohet njëri prej autorëve të vrasjes

Shpallet në kërkim bashkëautori i vrasjes.

Sekuestrohet automjeti i përdorur gjatë kryerjes së vrasjes, pamje filmike e prova të tjera të vlefshme, që çuan në identifikimin e autorëve.

Nga strukturat e Sektorit të Hetimeve të Krimeve të Renda ndaj Jetës e Pronës në DVP Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 01.01.2023, në orët e para të mëngjesit, u finalizua operacioni policor i koduar “EAGLE EYES”, si rezultat i të cilit u bë i mundur dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes së datës 16.12.2022, ku në rrugën “Fadil Bodinaku“ Tiranë, është vrarë me armë zjarri shtetasi Edmond Papa, i datëlindjes 1973, lindur në fshatin Kurjan Fier dhe banues në Sarandë.

Policia e Tiranës pas një pune profesionale e të pandërprerë trejavore, duke shfrytëzuar të dhënat e inteligjencës policore, përdorimit të metodave speciale të hetimit, administrimit dhe vlerësimit në kohë të provave ligjore, ka bërë të mundur dokumetimin ligjor të autorësisë së kësaj ngjarje kriminale.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “EAGLE EYES” u bë ndalimi i shtetasit:

A. V. 30 vjeç, lindur në Këlcyrë Permet dhe banues në Tiranë, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim” .

Si dhe shpallja në kërkim e bashkëautorit, shtetasi A. B., 44 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimi rezultoi se autorët e kanë ndjekur për disa ditë shtetasin Edmond Papa, para dhe ditën e ngjarjes deri në realizimin e krimit.

Në cilesinë e provave materiale është gjetur dhe sekuestruar automjeti tip “Audi” i përdorur nga autorët e dyshuar para dhe pas ngjarjes, pamje filmike dhe 3 aparate celular.

Nga strukturat hetimore për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Materialet procedurale, i kanë kaluar Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.”, njofton policia. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!