Tensionet në veri, Syla: Gjërat janë përkeqësuar pak për Kosovën, Serbia krenohet se i hoqi vetë barrikadat

schedule11:43 - 29 Dhjetor, 2022

schedule 11:43 - 29 Dhjetor, 2022

Serbia njoftoi ditën e sotme se do të fillojë heqja e barrikadave, teksa në mëngjes u hap dhe rruga për në Merdar.

Për të folur për këtë situatë në Abc Live ka qenë i ftuar Gazment Syla. Syla tha për gazetaren Sibora se gjërat për Kosovën janë përkeqësuar disi dhe Serbia ndodhet në pozita pak më të favorshme.

Ai komentoi edhe qëndrimet e kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se në realitet qeveria e Kosovës nuk ka shumë autoritet në veri.

Ai shtoi se nëse nuk do të ishte dhënë miratimi i presidentit serb, barrikadat në veri nuk do të fillonin të hiqeshin.

“Ka një dëshirë të kryeministrit Kurti për më shumë autoritet në veri, për të pasur sovranitet të plotë, por këto janë dëshira që nuk realizohen as 25-30%. Kurta krenohet se ka polici në veri, por e pamë në realitet që ishte ndryshe.

Dita e djeshme dëshmoi që pa dëshirën, vullnetin e Vucicit ato barrikada nuk do ishin larguar kurrë. Kurti e ka më shumë për aspektin e brendshëm, sepse i duhet edhe për partinë dhe ndjekësit e tij.

Arrestimi i ish-policit Pantiç dhe mbajtja e tij në një vend absolutisht joadekuat të arrestuar, e dëshmon më së miri se cili ka qenë autoriteti i institucioneve të Kosovës në veri. Ti arreston një person dhe nuk mund ta sjellësh në një stacion të mirëfilltë, ose ta sjellës para një gjykatësi”, tha Syla.

Syla theksoi se Kosova është tashmë në një pozitë paksa të përkeqësuar, pasi Serbia krenohet nga ana tjetër se barrikadat i hoqën ata dhe jo KFOR apo polica e Kosovës. /abcnews.al