Sekuestrimi i anijes iraniane me naftë nga marinsat britanikë ka tensionuar marrëdhëniet mes Teheranit dhe Londrës. Një ditë pas konfiskimit, Republika Islamike ka kërcënuar Mbretërinë e Bashkuar se do të veprojë në të njëjtën mënyrë me mjetet lundruese britanike.
Irani dhe Mbretëria e Bashkuar janë përfshirë në një konflikt që rrezikon të përshkallëzohet. Një ditë pas sekuestrimit nga komandot britanikë të një anijeje-cisternë iraniane në ujërat e Gjibraltarit, Republika Islamike ka kërcënuar me masa reciproke nëse mjeti i mbushur me naftë nuk lirohet. Anija-cisternë, që kishte si destinacion një rafineri nafte në Siri, u konfiskua pasi shkelte sanksionet e vendosura nga Bashkimi Europian.
Të premten një gjykatë në Gjibraltar vendosi se mjeti mund të mbahet në gjendje ndalimi për 14 ditë. Duke reaguar, një nga këshilltarët e ajatollahut Ali Khamenei deklaroi se agresorëve u duhet përgjigjur në të njëjtën mënyrë dhe pa hezitim. “Nëse Britania nuk e liron cisternën iraniane, atëherë është detyrë e autoriteteve të sekuestrojnë anijet-cisternë britanike”, deklaroi Mohsen Rezaei. Të enjten, qeveria e Republikës Islamike thirri për sqarim ambasadorin britanik në Teheran, të cilit iu ankua për atë që e quajti një “akt piraterie”. Edhe Ministria e Jashtme iraniane dënoi sekuestrimin, duke e cilësuar atë ilegal dhe duke akuzuar Britaninë e Madhe se kishte vepruar për llogari të Shteteve të Bashkuara. Nga ana e saj, Forein Ofis i cilësoi akuzat për pirateri të pakuptimta./ABC News Albania 24/7