Avokati i Popullit, në Maqedoninë e Veriut, Ixhet Memeti, deklaroi se publikimi i të ashtuquajturave bomba që nuk janë me interes publik, por cënojnë privatësinë, është vepër penale dhe me të duhet të merren institucionet e sistemit.
Ixhet Memeti thotë se Raportet e Avokatit të Popullit për gjendjen e të drejtave kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve të cënuara me akte apo veprime të organeve të administratës shtetërore dhe institucioneve të tjera me autorizime publike, janë pikë referemi për shumë institucione ndërkombëtare, por pak, për të mos thënë shumë pak përfillen nga ato vendore, përfshirë këtu dhe Parlamentin, por edhe Qeverinë.
“Prej 2007 e deri më tani ka 12, 13 raporte vjetore të cilat i dedikohen parlamentit dhe qeverisë. Për fat të keq nuk lexohen. Ky është realiteti”.
Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, ka edhe një argument ilustrues për realitetin e hidhur.
“Në sektorin publik punojnë 138 mijë të punësuar. Këtu i kemi dhe ndërmarrjet publike që janë me kapital shtetëror, por edhe disa të dhëna që jep qeveria janë diku 128 mijë. 10 mijë janë dallimi mes të dhënave që ne kemi dhe që i ka ministria përkatëse. Pse të ndodhë kështu? Pse ne kemi të dhëna më të sakta se qeveria”.
Duke folur në emisionin Klan Debat, Ixhet Memeti është ndalur edhe tek çështjet aktuale që kanë të bëjnë me mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë apo edhe të ashtuquajturat bomba politike:
“Ndjekja e komunikimit për interesa të shtetit, shoqërisë ka standarde dhe rregulla të shkruara edhe atëherë kur dyshohet se ndonjë person, pa marrë parasysh kush është ai, merret me veprime të cilat janë të inkriminuara dhe mund të kryejë vepër penale. Miratohet vendim që ai të ndiqet, vendimin e miraton gjykata edhe atëherë kur legalisht ndiqet çdo pjesë e bisedës që ka të bëjë me privatësinë e atij personi shkëputet. Nuk guxon të përdoret. Çka flasim këtu tek ne? Vetëm nëse funksionojnë institucionet. Ke ligj. Jo rastësisht është vepër penale kur ti publikon diçka që nuk ka lidhje me krimin apo interesin”.
Avokati i Popullit thotë se sa i përket çështjes së përfaqësimit të shqiptarëve, vërehet një tendencë e përmirësimit të shkallëshkallshëm të përqindjes. Megjithatë, ai konstaton se gjendja është më e mirë nëpër ato institucione a dikastere që drejtohen nga shqiptarë. Ndërkaq, ndihmën e avokatit të popullit më së shumti e kërkojnë banorët nga zona e Shkupit, rreth 60 për qind e shumë më pak ata nga pjesa veriperëndimore e vendit./ABC News Albania 24/7