Si përfitoi Orban nga lufta në Ukrainë?

schedule15:56 - 25 Dhjetor, 2022

schedule 15:56 - 25 Dhjetor, 2022

Në tetor, kur vjeshta filloi dhe Rusia intensifikoi bombardimet e saj kundër rrjetit energjetik të Ukrainës, Qeveria në Hungarinë fqinje po mobilizohej kundër një armiku të saj.

Në billborde, fletushka, lajme, Facebook e platforma të tjera digjitale, hungarezët kudo përballeshin me imazhin e një bombe, të mbështjellë me një letër ku shkruante “sanksione”, si dhe me mesazhin “sanksionet nga Brukseli po na shkatërrojnë”.

Prej se Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në fund të shkurtit, Bashkimi Evropian – pjesë e të cilit është edhe Hungaria – ka ndërmarrë një varg sanksionesh kundër saj.

Imazhet në Hungari ishin pjesë e një “konsultimi kombëtar”, të financuar nga shteti dhe të porositur nga Qeveria e kryeministrit Viktor Orban.

Qëllimi ishte të bindeshin 10 milionë hungarezë se “bombat nuk vrasin njerëz, sanksionet vrasin njerëz”. Ose, të paktën, ato përbëjnë kërcënimin më të madh për sigurinë e tyre.

I armatosur me një super-shumicë që i mundësoi partisë së tij qeverisëse, Fidesz, të riformësonte politikën dhe institucionet hungareze që nga viti 2010, Orban kaloi vite duke e mbushur sektorin e transmetuesve publikë me aleatë dhe duke u mundësuar oligarkëve dhe miqve të tij t’i përvetësonin pothuajse të gjitha stacionet kryesore komerciale.

Kritikët thonë se peizazhi mediatik që ka rezultuar, e ka ndihmuar Orbanin t’i portretizojë sanksionet e BE-së si rreziqe kryesore.

Fuqia e zgjedhjeve

Në muajin shkurt, Orban dukej i lëkundur. Zgjedhjet e 3 prillit ishin në prag dhe, për shkak të rritjes së kostos së jetesës, sondazhet sinjalizonin ndryshimin e Qeverisë.

Dhuratat dhe subvencionet e tij tradicionale parazgjedhore po e lodhnin buxhetin dhe, siç dukej, nuk po e mashtronin gati askënd.

Kishte pakënaqësi mes mësuesve, inxhinierëve të trenave, punonjësve të stacioneve të karburantit e të tjerëve.

Lajkat e tij me Moskën dhe Pekinin po e dëmtonin, po ashtu, pozitën e Budapestit mes aleatëve të BE-së dhe NATO-s.

“Çështja është nëse do të ketë një lloj pakënaqësie uniformë, dërrmuese”, tha për Shërbimin hungarez të Radios Evropa e Lirë Andras Biro-Nagy, drejtor i Policy Solutions – një institut i mendimit liberal-demokratik në Budapest.

“Për momentin, duket se këto pakënaqësi janë të izoluara, se shtresat e ndryshme nuk po bashkohen me njëra-tjetrën”, tha ai më 23 shkurt.

Të nesërmen, presidenti rus, Vladimir Putin, nisi pushtimin më të madh të një vendi në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Orban, fillimisht, u përgjigj duke thënë se gjëja më e keqe do të ishte “të lejonim që Hungaria të ngatërrohej në luftë”.

“Kjo nuk duhet të ndodhë”, tha ai për Televizionin shtetëror M1, më 28 shkurt.

“Unë e quaj këtë qetësi strategjike. Kjo është ajo për të cilën ne kemi nevojë tani”, tha ai.

Vetëm disa ditë pasi dhjetëra mijëra trupa dhe tanke ruse u futën në Ukrainë, Orban tërhoqi një paralele mes ukrainasve dhe hungarezëve, duke thënë se të dy popujt kishin kaluar dekada duke vuajtur nën hegjemoninë e Moskës, përpara se të binte Bashkimi Sovjetik.

“Dekada e ardhshme do të jetë rreth asaj se kush është në gjendje të krijojë një mjedis të sigurt për vendin e tij, për jetën e përditshme të njerëzve”, tha Orban.

Më vonë, në një fjalim në Ditën Kombëtare, derisa kishin mbetur më pak se tri javë deri në zgjedhje, ai foli sërish për ngjarjet në Ukrainë.

Ai nuk përmendi vuajtjet e ukrainasve në përgjithësi, por rrezikun për “qindra mijëra hungarezë” që jetojnë në Ukrainën perëndimore.

Orban nuk paralajmëroi për imperializmin rus, por, përkundrazi, barazoi “interesat” ruse dhe ukrainase dhe dërgoi mesazhe te SHBA-ja dhe BE-ja.

“Ne duhet t’i përfaqësojmë interesat tona, me qetësi dhe guxim. Ne duhet të qëndrojmë jashtë kësaj lufte”, tha Orban.

Kjo ndjenjë është përkthyer në refuzim të çdo veprimi – përfshirë mbështetjen ushtarake ose furnizimin me armë të Ukrainës – që mund të interpretohet si ndërhyrje në konflikt, thotë Marton Bene, studiues i lartë në Qendrën MTA për Shkenca Sociale në Institutin e Budapestit për Shkenca Politike.

“Prizmi i interesave të Hungarisë” e ka bërë gjithashtu Budapestin të promovojë nevojën për një fund të armiqësive ushtarake dhe për bisedime të paqes, thotë ai.

Po sipas tij, Qeveria hungareze pranoi se Rusia është agresore, por, në përgjithësi, “shmangu vlerësimet normative” të luftës dhe e cilësoi atë si “një konflikt midis SHBA-së dhe Rusisë dhe jo si një luftë të pastër rajonale”.

Rreziku më i madh për Hungarinë, u tha Orban hungarezëve në Ditën Kombëtare, do të ishte “hyrja në një luftë mizore, të gjatë dhe të përgjakshme”.

Budapesti, tha ai, nuk do të dërgojë armë në Ukrainë, siç kërkojnë Shtetet e Bashkuara dhe disa aleatë të tjerë të NATO-s.

Lakmusz – një projekt hungarez për kontrollimin e fakteve – e përshkroi më vonë strategjinë parazgjedhore të Orbanit si “zhvendosje të fokusit nga temat e brendshme në tema gjeopolitike dhe të sigurisë”.

Dhe, më 3 prill, Fidesz i fitoi zgjedhjet.

Biro-Nagy, nga instituti Policy Solutions, tha më vonë se “beteja për të interpretuar luftën në Ukrainë, tregon fuqinë e perandorisë mediatike të Fidesz-it”.

Orban, tha ai, fitoi “duke e portretizuar veten si garantues të paqes dhe sigurisë, ndërsa akuzoi opozitën e bashkuar për futjen e mundshme të Hungarisë në luftë”.

Raportimi në media

Blanka Zoldi, kryeredaktore në Lakmusz, thotë se që nga fillimi i luftës në Ukrainë, në Hungari qarkullojnë mesazhe pro-ruse “që kanë origjinën nga niveli më i lartë i elitës politike hungareze” e që më pas “përhapen nga një eko-sistem i centralizuar mediatik, përfshirë mediat publike, mediat pro-qeveritare dhe influencuesit në mediat sociale”.

Në shumë raste, sipas saj, përhapen informacione të rreme, të mbështetura nga reklamat shtetërore dhe paratë publike.

Agnes Urban, profesoreshë e info-komunikimeve në Universitetin Corvinus të Budapestit, thotë se, së voni, lajmet e transmetuesve publikë në Hungari kanë nisur të mbushen me raporte për mungesën e energjisë dhe rritjen e çmimeve, si pasojë e sanksioneve që pengojnë rrjedhën e gazit rus.

Ajo thotë se transmetuesit publikë shmangin “legjitimimin e luftës” dhe nuk i bëjnë jehonë raportimit të mediave ruse për zhvillimet në fushëbetejë. Nga ky këndvështrim, thotë ajo, “është raportim relativisht i drejtë”.

“Por, nga pikëpamja e krizës energjetike, ata me të vërtetë ndjekin qasjen e Kremlinit”, thotë Urban.

“Në mediat pro-qeveritare, nuk ka çështje të sigurisë kombëtare, nuk ka rrezik për ndjekjen e politikave pro-ruse. E vetmja ngjarje e rëndësishme është siguria energjetike”, thotë Urban.

Sipas saj, media dhe shoqëria hungareze janë “plotësisht të polarizuara” si rezultat i “komunikimit shumë të kontrolluar nga Qeveria” dhe aleatët e saj mediatikë.

“Sigurisht, ekziston një pjesë e shoqërisë që ndjek komunikimin pro-perëndimor, por zëri i saj është mjaft i kufizuar”, thotë Urban.

“Dua të them, edhe nëse shumë prej tyre janë udhëheqës të opinionit, ata nuk mund të konkurrojnë me këtë perandori mediatike pro-Fidesz”, shton ajo.

Çështjet e sigurisë kombëtare dhe uniteti i NATO-s, sipas saj, janë tema të shpeshta të bisedave midis mediave të pavarura, përfshirë atë se “çfarë do të thotë për Hungarinë të jetë anëtarja më pak e besueshme e aleancës perëndimore dhe çfarë lloj rreziqesh bart kjo për Hungarinë në plan afatgjatë”.

Këto diskutime, thotë Urban, nxisin argumentet se Hungaria ka qenë shpesh në anën e gabuar të zhvillimeve të mëdha gjeopolitike, shekullin e kaluar./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!