Ka gjithnjë e më shumë njerëz të vetmuar pavarësisht moshës. Mund të jetë veçanërisht e vështirë në Krishtlindje. Prandaj, ministrja e Familjes fton njerëzit që “pa hezitim” të përdorin ndihmën e ofruar.
Për shumicën e njerëzve, gjëja më e mirë e Krishtlindjeve është koha e kaluar bashkë me familjen.” Por kur nuk ke mundësi të ndjesh se përket diku dhe se ke dikë afër, atëherë ditët e festave mund të jenë veçanërisht të dhimbshme”, paralajmëron ministrja gjermane për Familjen Lisa Paus (Të Gjelbrit). “Kjo është arsyeja pse Krishtlindjet janë gjithmonë një sfidë e madhe.”
E gjitha kjo është e njohur mirë edhe për psikiatrit dhe shërbimet e urgjencës: një apartament i zbrazët dhe vetmia vërehen edhe më shumë, në kohën kur të tjerët nxitojnë diku për të marrë dhurata dhe ushqime për festa. Për festa mund të vijnë edhe të afërm me komportim jo të mirë, por edhe kjo është më mirë sesa të mos kesh anjë njeri pranë. Në këto raste janë më të shpeshta edhe mendimet për t’i marrë jetën vetes.
Varfëria e rëndë
Vetmia është më e shpeshtë tek të varfërit, e kohët e fundit janë shtrenjtuar shumë gjëra dhe është rritur inflacioni. Vendbanimi dhe ngrohja janë shtrenjtuar, ndërsa vetmia është edhe më e vështirë: “Kur njerëzit janë të varfër, ata janë shumë më të prekur nga vetmia”, paralajmëron ministrja. Sigurisht, dashuria dhe miqësia nuk mund të blihen me para, por paratë e mundësojnë pjesëmarrjen më të madhe në jetën shoqërore. E kur nuk ka para, rreziku është më i madh që dikush të tërhiqet nga shoqëria dhe të ndihet i vetmuar”.
Sondazhi i fundit i shoqatës së ndihmës “Maltezer” konfirmon se frika nga vetmia është një problem i madh këto ditë, por që edhe 60 për qind e të anketuarve nuk kanë folur asnjëherë për vetminë me askënd. Po kaq të anketuar ndjejnë “kufizime shtesë sociale” gjatë këtyre ditëve festive, sepse janë larg bollëkut që do të donin për veten e tyre, të paktën për Krishtlindje. Edhe virusi korona ka lënë gjurmë dhe i ka dëmtuar lidhjet tashmë të brishta sociale për disa: një e treta e të pyeturve është edhe më të vetmuar se përpara pandemisë.
Vetmia tek të rinjtë
Në të njëjtën kohë, është një iluzion i madh që kur flitet për vetminë në Krishtlindje, mendohet vetëm për të moshuarit: “Thjesht i gabuar është mendimi se vetëm të moshuarit vuajnë nga vetmia”, paralajmëron ministrja. Vetmia prek të gjitha brezat, madje edhe të rinjtë: “Përafërsisht një në pesë vetë nën moshën 30 vjeç thotë se e di mirë se çfarë do të thotë të jesh i vetmuar”. Për njerëzit mbi 60 vjeç, kjo raportohet nga një në katër.”
Dhe pikërisht sepse “nuk flitet” dhe sepse perceptohet si disfatë personale të tregosh se je i vetmuar, nga turpi nuk kërkohet ndihmë. Në Gjermani ka institucione shtetërore dhe kishtare që e njohin shumë mirë këtë problem. Këto ditë janë edhe më të përgatitura posaçërisht për të ofruar ndihmë me telefon ose nëse dikush vjen tek ata. Nuk duhet të keni drojë, sepse vetmia prek shumë njerëz.