Vizita e Ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, në vendet e Ballkanit perëndimor, ishte një tjetër temë që u diskutua në emisionin “Ballkan” në Abc të gazetares Linda Karadaku.
Lidhur me këtë vizitë analisti Xhelal Neziri tha se Greqia po kërkon që të marrë vëmendjen e liderit në Ballkan. Ai tha se këto lëvizje të fundit tregojnë se Greqia nuk e ka më atë qasjen armiqësore ndaj vendeve fqinje, por po mundohet që përmes politikës së jashme të krijojë afrimitet.
Pjesë nga biseda:
Karadaku: Si tu duk turi i Dendiasit në rajon?
Neziri: Mendoj se Greqia po tenton të përmirësojë raportet me Maqedoninë e Veriut, pas një periudhe të gjatë armiqësisë, për shkak të çështjes së emrit. Kishim një periudhë të gjatë një dekadëshe që Greqia kishte vendosur veton e saj për Maqedoninë e Veriut për rrugën e saj në NATO dhe më pas në BE. Vetoja e parë u vendos në 2008-n, ku Maqedonia e Veriut nuk u bë pjesë e NATO-s, nuk iu bashkua Shqipërisë dhe Kroacisë.
Karadaku: A kemi një politikë greke në veprim, e cila po përshpejton përpjekjet e saj në rajon?
Neziri: Unë mendoj se është një doktrinë e re greke në politikën e jashtme kur bëhet fjalë për vendet e rajonit. Greqia ka kohë që po mundohet ta projektojë veten si lider të rajonit, për shkak të kapaciteti politik dhe ekonomik. Nga politika e armiqësive Greqia dëshiron tani të promovojë një qasje të re, atë të bashkëpunimit dhe marrjes së pozicionit të liderit. Prandaj mendoj se periudha e politikës greke 2008-2018 ka ndryshuar, nuk ka më një politikë të ashpër ndaj vendeve fqinje.
/Abcnews.al/

