Me largimin e teknikut Fernando Santos nga stoli i “luzitanëve”, Federata Portugeze e Futbollit është në kërkim të një trajneri tjetër të madh, ku emri më i përmendur dhe i dashur nga tifozët është Jose Mourinho.
Presidenti i Federatës Portugeze të Futbollit, Fernando Gomes , e ka të qartë këtë, por largimi i “special one” nga Roma është më se i komplikuar. Ai ka një kontratë në fuqi deri në vitin 2024 dhe është duke punuar në një projekt të përshtatur për stilin e trajnerit portugez.
Megjithatë, në Portugali vendimi i tyre është i qartë dhe sipas mediave, presidenti dhe trajneri kanë një takim më 26 dhjetor për të hedhur letrat në tavolinë. Madje është konsideruar opsioni që Mourinho të mund të kombinojë punën si trajner i Romës me atë të trajnerit të vendit të tij, të paktën deri në fund të sezonit.
Nga ana tjetër, trajneri i ri që do të emërohet në krye të stolit “luzitan”, do ta nisë me një vendim “kyç”, të ardhmen e Cristiano Ronaldos me fanellën e Portugalisë. Lojtari më i mirë në historinë portugeze pushoi së qeni titullar në ndeshjet e fundit të Kupës së Botës me Fernando Santos. /i.m /abcnews.al