RETRO Christmas, eventi i shumëpritur i fundvitit, bashkon mjetet historike të koleksionit shqiptar Retro, të dekoruara me frymën festive shumëngjyrëshe dhe të shoqëruara nën tingujt muzikor Jazz & Swing, mbrëmjen e së premtes, datë 23 dhjetor te sheshi i ministrive “Bujar Lako”, pranë pedonales së Tiranës.
E organizuar nga RETRO – Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, Teatrin e Operas dhe Baletit dhe Ministrinë e Kulturës, dhjetëra mjete historike të koleksionit shqiptar Retro do të ekspozohen në shesh për të gjithë të apasionuarit e mjeteve, nostalgjikëve të së shkuarës automotive, por edhe publikut kureshtar të çdo grupmoshe.
Fëmijët e talentuar të “Korit të Zërave të Bardhë” të Teatrit të Operas dhe Baletit do të ngrohin atmosferën duke performuar këngë krishtlindjesh për të mirëseardhur festat e fundvitit, e më tej shfaqja do të vijojë me muzikë Jazz & Swing deri në orët e vona.
Në këtë mbrëmje të shënuar, koleksioni shqiptar RETRO feston anëtarësimin në FIVA-Federata Ndërkombëtare e Mjeteve Historike. Ky lajm fantastik vjen pas një angazhimi e përpjekje të dedikuar 3-vjeçare të RETRO dhe DPSHTRR në krijimin e Regjistrit Zyrtar të Mjeteve Historike ku sot numërohen rreth 450 mjete si pjesë e koleksionit shqiptar RETRO, organizimin e 15 eventeve në 10 qytetet kryesore të Shqipërisë e ku tashmë ky anëtarësim do të hapë një horizont të ri bashkëpunimi me klubet e huaja të mjeteve historike, pjesë e FIVA-s.