Në kulmin e krizës politike, Presidenti Meta dhe Kryeministri Rama e kanë nisur ditën me një urim për 243 vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.
Presidenti Meta ka uruar në veçanti komunitetin shqiptar në Amerikë, që sipas tij nuk ndihet i lumtur me krizën pa rrugëdalje ku ndodhet vendi ynë. Kreu i shtetit bën thirrje për reflekim dhe përgjegjshmëri.
Meta thotë se raportet shqiptaro-amerikane i shërbejnë jo vetëm interesave reciproke strategjike, por edhe rritjes së kredencialeve demokratike të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s, dhe si një vend i denjë për të çelur negociatat për anëtarësim me BE në 18 Tetor 2019. Postimin e tij Presidenti e ka shoqëruar me një shkrim të ish-drejtorit të Zërit të Amerikës me titull: Zgjedhjet e 30 qershorit, një poshtërsi për qeverinë shqiptare, një dështim për opozitën, një turp për ndërkombëtarët dhe një fatkeqësi për kombin shqiptar!
Ndërsa Kryeministri Rama, në një postim në faqen e tij në Facebook, i cilëson Shtetet e Bashkuara si miqtë dhe aleatët më të mëdhenj të Shqipërisë dhe shqiptarëve me mbishkrimin ‘Zoti e bekoftë Amerikën!./abcnews.al