Protestat që kanë përfshirë prej disa javësh Hong Kongun kanë përplasur Londrën me Pekinin. Mbretëria e Bashkuar ka kërkuar nga pala kineze respektimin e autonomisë dhe të drejtave të ish-kolonisë së saj; ndërsa Kina ka deklaruar se kushdo që shkel ligjin duhet të trajtohet si kriminel.
Kina dhe Britania e Madhe janë përfshirë në një debat të ashpër lidhur me protestat që prej disa javësh zhvillohen në Hong Kong. Ka qenë një deklaratë e ministrit të Jashtëm britanik, Xheremi Hant, që shprehte mbështetjen për protestuesit e rajonit autonom të Kinës, që ka trazuar ujërat mes dy vendeve.
Pekini zyrtar i ka bërë thirrje Londrës që të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kinës. Edhe ambasadori kinez në Mbretërinë e Bashkuar deklaroi se marrëdhëniet janë dëmtuar nga deklarata e ministrit Hant dhe ato të zyrtarëve të tjerë që mbështesin protestuesit.
Ai tha se personat që kanë zaptuar ilegalisht Parlamentin e Hong Kongut duhet të dënohen si shkelës të ligjit. Më pas, diplomati u thirr për sqarime në Ministrinë e Jashtme britanike lidhur me këtë deklaratë. Një zëdhënës i dikasterit bërë të ditur se diplomatit kinez iu komunikua se deklarata e tij ishte e papranueshme.
“Ne vazhdojmë t’ia bëjmë të qartë qeverisë kineze, në mënyrë publike dhe private, se të drejtat e banorëve të Hong Kongut duhet të respektohen tërësisht”, thuhet në një deklaratë të Forein Ofis. Më herët kryeministrja Theresa Mej deklaroi se e kishte ngritur çështjen e ish-kolonisë britanike në takimet me liderët kinezë në takimet e G20-s. “Është jetike që shkalla e lartë e autonomisë së Hong Kongut dhe të drejtat dhe liritë e qytetarëve të tij të respektohen maksimalisht”, tha Mej.
Banorët e rajonit autonom protestojnë prej javësh kundër ligjit të ekstradimit, që do të mundësojë dërgimin në Kinë të të kërkuarve dhe disidentëve, por që sipas tyre rrit vartësinë nga Kina mëmë.