Një tjetër italian në presidencën e Parlamentit Europian. Ish-gazetari dhe ish zv/drejtori i TG 1, David Sassoli do të zëvendësojë Antonio Tajanin, pasi mori 345 vota. Nga partitë italiane ai u votua vetëm nga partia e tij, ajo demokrate.
David Sassoli është presidenti i ri i Parlamentit Europian. Eurodeputeti i Partisë Demokrate italiane u zgjodh me 345 vota, përballë mazhorancës së domosdoshme prej 334 votash, në votimin e dytë. Në fjalën e tij gjatë marrjes së postit, Saasoli falenderoi presidentin në largim Antonio Tajani, i cili u përshëndet nga një duartrokitje e gjatë nga salla, për impenjimin dhe punën e zhvilluar në këtë institucion.
“Të gjithë do e kuptoni emocionin tim në këtë moment në marrjen e postit të presidencës së Parlamentit Europian,” kështu u shpreh Sassoli menjëherë pas përfundimit të votimit.
Ai gjithashtu i uroi mirëseardhjen grave të pranishme në sallë të cilat përbëjnë 40 për qind të parlamentit. Është një rezultat i mirë shtoi ai, por duhet më shumë. Sassoli zëvendëson presidentin në largim Antonio Tajani, i cili tashmë do të drejtojë delegacionin e “Forza Italia”.
Sassoli shtoi se Europës i duhet të rikuperojë shpirtin e etërve themelues, të vijojë rritjen ekonomike, mbrojtjen sociale dhe të respektojë ambientin. Ai tha se muajt e fundit kanë qenë të shumtë ata që prisnin dështimin e këtij projekti duke ushqyer përçarje dhe konflikte. Por ishin qytetarët ata që treguan se besojnë ende në këtë rrugë të jashtëzakonshme e vetmja që mund të japë përgjigje të mëdha ndaj sfidave globale.
“Nuk jemi një incident i historisë – vijoi ai – por jemi bijtë dhe nipërit e atyre që arritën të gjejnë një ilaç ndaj degjenerimit nacionalist që helmon historinë tonë. Nëse jemi europianë jemi dhe se pse jemi të dashuruar me vendet tona. Por nacionalizmi i cili kthehet në ideologji prodhon viruse që stimulojnë instikte superioriteti dhe prodhojnë konflikte shkatërruese”.
Mes partive italiane vetëm partia demokrate votoi për Sassolin. “Forza Italia” abstenoi. Lega dhe FDI votuan për konservatorin Jan Zahradil. Ndërsa Lëvizja 5 Yjet deklaroi se nuk do të kundërshtonte asnjë kandidat.
/ABC News Albania 24/7