Lagarde do të jetë presidentja e re e Bankës Qendrore Europiane, ndërsa ministrja gjermane e Mbrojtjes do të drejtojë Komisionin Europian me socialistin spanjoll Josep Borrel që zëvendëson Federica Mogherinin në postin e përfaqësuesit të lartë. E ndërsa gjatë ditës pritet emri i presidenti të Parlamentit Europian, Donald Tusk ka konfirmuar emërimet me anë të një mesazhi në profilin e tij në Twitter.
Më në fund në Bruksel është arritur marrëveshja për emërimet e reja europiane. Në presidencën e komisionit do të jetë ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula Von der Leyen, e CDU. Francezja Christine Lagarde merr presidencën e Bankës Qendrore Europiane, ndërsa socialisti spanjoll Josep Borrel është përfaqësuesi i lartë që zëvendëson Mogherinin.
Emërimet janë konfirmuar nga një mesazh në Twitter i presidentit aktual të Këshillit Europian Donald Tusk. Ky i fundit do të zëvendësohet nga kryeministri belg Charles Michel.
Zëvendëspresident të komisionit me rangun më të lartë do të jenë Frans Timmermans dhe Margaret Vestager. Ndërkohë që në Bruksel vijojnë bisedimet për të zgjidhur dhe nyjën e fundit për postin e presidentit të Parlamentit Europian.
Janë katër kandidatët për presidencën e Parlamentit Europian që pritet të votohen gjatë ditës në Asamblenë e Strasburgut: David Sassoli – social demokrat, Ska Keller – të gjelbërit, Jan Zahradil – konservatorët, dhe Sira Rego për të majtët. Në përfundim të samitit të Bashkimit Europian Donald Tusk në një konferencë për shtyp shpjegoi se u desh më shumë kohë.
Ai shpjegoi se herën e kaluar u deshën tre muaj dhe kishte disa qeveri kundër ndërsa këtë herë u deshën tre ditë dhe vetëm Gjermani kundërshtoi emërimin e Von der Leyen si president të komisionit për shkak të politikave të brendshme.
Lagarde u shpreh e nderuar për faktin se ishte zgjedhur për presidencën e Bankës qendrore europiane dhe konfirmoi se kishte dorëzuar postin e presidencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Më tej, Tusk shpjegoi se do t’i kërkonte Ursula Von der Leyen që të propozonte një ekuilibër gjeografik të përshtatshëm për skuadrën e zëvendës presidentëve të saj. Dhe sipas tij Europa lindore, qendrore dhe Italia duhet të jenë pjesë e këtij procesi./ABC News Albania 24/7