Një komision demokrat nga Kongresi amerikan depozitoi të martën një padi në një gjykatë federale, ndaj institucioneve që nuk po bëjnë publike shlyerjen e detyrimeve tatimore nga presidenti Donald Trump dhe bizneset e tij. Sipas mediave amerikane, komisioni ka paditur Shërbimin për Mbledhjen e të Ardhurave dhe Departamentin e Thesarit, pasi sekretari i tij Stiven Mnushin refuzoi kërkesën ligjore për të dorëzuar dokumentet e presidentit dhe po ashtu thirrjet për të dëshmuar në Kongres. Padia shënon fillimin e asaj që pritet të jetë një betejë e gjatë gjyqësore dhe që sipas mediave amerikane ka gjasa të përfundojë në Gjykatën Supreme. Nga administrata presidenciale nuk ka patur një koment, por avokati i Trump, Xhej Sekulou deklaroi se do t’i përgjigjet me të gjitha forcat asaj që e quajti “persekutim presidencial”. Demokratët kërkojnë të dhënat mbi detyrimet tatimore të Donald Trump nga viti 2013 në 2018, që sipas ekspertëve ligjorë mund të hedhin dritë mbi bizneset e presidentit. Një proces i tillë gjyqësor, sipas specialistëve, mund të rrjedhë me ngadalë dhe të kthehet në një argument në zgjedhjet e 2020-s. /ABC News Albania 24/7
Taksat e bizneseve të Trump, demokratët padisin departamentin e thesarit
schedule23:32 - 2 Korrik, 2019
schedule 23:32 - 2 Korrik, 2019