Gjykata Speciale shpall sot vendimin për  ish-pjesëtarin e UÇK, Salih Mustafa

schedule08:26 - 16 Dhjetor, 2022

schedule 08:26 - 16 Dhjetor, 2022

Të premten e 16 dhjetorit, Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë aktvendimin për Salih Mustafën, ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ky njëherësh do te jetë aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Më herët, pranë këtij institucioni janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë.

Për çka akuzohet Mustafa?

Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Këto krime dyshohet se janë kryer në kompleksin e ndalimit në Zllash në Kosovë, në prill të vitit 1999.

Vetë Mustafa është deklaruar i pafajshëm derisa në një rast, gjykatën e ka konsideruar “zyre të Gestapos”, referencë për shërbimin sekret policor në kohën e Gjermanisë naziste.

Sipas aktakuzës, Salih Mustafa, gjithashtu i njohur si ‘komandant Cali’, ka qenë komandant i njësitit gueril BIA (‘njësiti BIA’), njësit brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykimi ndaj tij përbën procesin e parë gjyqësor për krime lufte që ka nisur në Gjykatën Speciale.

Kjo gjykatë heton krimet e pretenduara të anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000.

Gjykata e ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

Si ka ecur procesi gjyqësor?

Mustafa është arrestuar dhe më pas është transferuar në njësinë e paraburgimit të Gjykatës Speciale më 24 shtator të vitit 2020.

Procesi gjyqësor ka nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes.

Aty përfshihen edhe tetë viktima që kanë dhënë dëshmitë e tyre.

Ish-Prokurori i Specializuar, Jack Smith, ka thënë muaj më parë se në rastin e Mustafës, të gjitha viktimat janë shqiptarë të Kosovës.

Pas angazhimit të Smithit në një rast tjetër gjyqësor, Alex Whiting është në pozitën e ushtruesit të detyrës së Prokurorit të Specializuar.

Prokuroria pati thënë se “faji i vetëm” i disa viktimave ishte se kanë qenë pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në mbrojtje të Mustafës janë angazhuar: Julius von Bone, avokat, dhe Betim Shala, bashkëmbrojtës.

Çfarë ka thënë Prokuroria?

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka argumentuar në rastin kundër Mustafës se, viktimat janë mbajtur në një qendër ndalimi në Zllash, në një ndërtesë dykatëshe dhe të izoluar nga strukturat tjera.

Kjo ndërtesë nuk ekziston më.

Sipas Prokurorisë, sidomos dy viktima të mbajtura në Zllash janë trajtuar keq.

Njëra prej tyre nuk është gjetur asnjëherë, ndërsa trupi i një viktime tjetër është gjetur në një varr të cekët në distancë të shkurtë nga qendra në Zllash.

Sipas Prokurorisë, disa individë ende kanë frikë të flasin lirshëm për torturat që kanë përjetuar, dhe kanë deklaruar se nuk kanë qenë kurrë “armiq të Kosovës”.

“Viktimat janë etiketuar si bashkëpunëtorë dhe spiunë që punojnë për armikun, sepse nuk e kanë përkrahur mjaftueshëm UÇK-në, prandaj janë burgosur në një pronë në Zllash”, pati thënë ish-Prokurori Smith.

Proceset tjera gjyqësore të Gjykatës Speciale

Përveç, Mustafës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi, dhe Shala dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.

Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Kryetarja e Gjykatës Speciale të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka thënë muaj më parë se pret që gjyqi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, të nisë në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm.

Deri më tani, Gjykata Speciale ka shpallur dy aktvendime.

Në to janë shpallur fajtorë Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj për pengim të administrimit të drejtësisë, dhe janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.

Ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Gucati dhe Haradinaj janë arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media në selinë e OVL-UÇK në Prishtinë kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Gjykatës Speciale.

Si Gucati, ashtu edhe Haradinaj kanë apeluar vendimet e gjykatës.

Gjykata Speciale e Kosovës është formuar pas publikimit të një raporti të Këshillit të Evropës më 2011, nën autorësi të senatorit zviceran, DickMarty.

Në atë raportuar janë përmendur krimet e pretenduara në Kosovë.

Në vitin 2015, kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për Gjykatën Speciale, deputetët kanë miratuar edhe një ligj tjetër që ua garantonte të akuzuarve potencialë mbështetjen financiare./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!