Autoritetet ukrainase kanë zbuluar një “dhomë torture për fëmijë” në qytetin e Khersonit, raporton Kiev Independent duke cituar komisionerin ukrainas për të drejtat e njeriut, Dmytro Lubinets. Ai tha se dhoma ishte vendi ku forcat ruse dyshohet se mbanin dhe torturonin fëmijët gjatë pushtimit të qytetit.
E quajtur “qelia e fëmijëve”, thuhet se ata ishin subjekt i abuzimit psikologjik në duart e trupave ruse. Lubinets pretendoi gjithashtu se fëmijëve iu jepej pak ujë dhe pothuajse aspak ushqim. “Ne zbuluam torturat e fëmijëve për herë të parë.”, citohet të ketë thënë Lubinets, raporton Sky News.
Sipas dëshmive të banorëve të zonës, ushtarët rusë iu thoshin atyre se prindërit i kishin braktisur dhe se ata nuk do të ktheheshin më në shtëpi. Sipas Lubinets, një 14 vjeçar u torturua vetëm se fotografoi disa pajisje ruse të prishura.
Ndërsa rreth një e treta e fëmijëve ukrainas kanë ikur nga shtëpitë e tyre për shkak të luftës, ka ende shumë të mbetur në territoret e pushtuara nga Rusia ose zonat ku luftimet e ashpra vazhdojnë. Granatimet dhe sulmet me raketa kanë vrarë pa dallim civilë të të gjitha moshave, përfshirë foshnjat. /abcnews.al


