Adoleshentja Cori Gauff shkaktoi të papriturën e parë të madhe në turneun e Wimbledon. Tenistja amerikane cilësohet si e ardhmja e këtij sporti.
Suksesi mund të quhet fundi i një epoke dhe fillimi i një tjetre. Cori Gauff hyri në historinë e Wimbledon, së pari si më e reja teniste që merr pjesë në kohën “Open”, dhe së dyti duke tejkaluar 24 vite diferencë në moshë për të mundur një nga idhujt e saj, pikërisht Venus Williams.
Cori i mori setet 6-4 e 6-4 në 79 minuta lojë ndaj pesë herë kampiones në barin e Londrës. Suksesi i adoleshentes amerikane ishte një surprizë e madhe, por edhe e bukur për tenisin dhe për turneun më të vjetër të botës.
Venus Williams kishte fituar 4 Grand Slam kur Gauff lindi, por sot në moshën 39-vjeçare, e pati të pamundur ta përballonte. Mund të quhet “e kryer” mbyllja e epokës së motrës së madhe Williams, por pyetja është nëse do të ketë një “Epokë Gauff”?
“Unë dua që të jem më e mira në botë, – tha 15-vjeçarja amerikane pasi triumfoi 2-0 me sete në fushën qendrore të Wimbledon, – babai im ma thoshte këtë që kur isha 8 vjeç, por unë nuk e besoja. As sot nuk jam 100 për qind e sigurt, por dua të fitoj çdo ndeshje dhe të fitoj Wimbledon”.
Natyrisht, nuk do të jetë e lehtë për vajzën amerikane, që quhet edhe Coco, për t’u bërë një kampione e madhe. E shkuara ka shembuj shkurajues si Xhenifer Kapriati, Donald Young apo kroatja Ana Konjuh.
Kështu që, ajo do ta marrë dalë nga dalë, duke vazhduar jetën e saj normale dhe familjare, me babain si trajner dhe mamanë si mësuese që e shkollon në mënyrë private në shtëpi./ABC News Albania 24/7