Tragjedia në Kanalin Anglez, një shqiptar i shpëtuar. Gjithçka dihet deri më tani: 4 viktima dhe 43 të shpëtuar

schedule13:42 - 14 Dhjetor, 2022

schedule 13:42 - 14 Dhjetor, 2022

Një numër rekord emigrantësh kanë kaluar këtë vit Kanalin Anglez me gomone. Ndërsa sot, në orët e para të mëngjesit ka ndodhur një ngjarje tragjike në Kanalin Anglez ku një gomone është fundosur dhe si pasojë 4 persona kanë  humbur jetën dhe 43 kanë shpëtuar. Të shpëtuarit  janë dërguar në Mbretërinë e Bashkuar. Mësohet se mes të shpëtuarëve është edhe një shqiptarë, por identiteti i tij nuk është bërë i ditur.

Ngjarja vjen një vit pas një tjetër tragjedie, që cilësohet si nga më të rëndat në Kanal. Më 25 nëntor të vitit 2021 një gomone me 34 njerëz u fundos teksa udhëtonte nga Franca për në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa 31 persona humbën jetën.

Fatkeqësia shkaktoi zhurmë politike, pasi disa akuzuan qeverinë për dështimin për të siguruar rrugë të sigurta për emigrantët.

Sa emigrantë kalojnë Kanalin?

Më shumë se 40,000 njerëz kanë kaluar Kanalin me varka të vogla ose gomone në vitin 2022. Ky është numri më i lartë që nga viti 2018. Në vitin 2021, totali ishte 28.526 persona, ndërsa në vitin 2020 ishte 8.404.

Në vitin deri në shtator 2022, Mbretëria e Bashkuar mori më shumë se 72,000 kërkesa për azil, që lidhen me pothuajse 86,000 njerëz. Ndërkohë që vetëm 53% iu dha azil ose një lloj tjetër leje qëndrimi. Pjesa tjetër u refuzua, raporton abcnews.al.

Kush janë emigrantët dhe nga cilët vende vijnë?

Në nëntë muajt e parë të vitit 2022, gjysma e atyre që mbërritën me varka të vogla ishin të vetëm dy kombësive:

35% shqiptare

15% afgane

Por ndërkohë më 13 dhjetor, qeveria britanike njoftoi një sërë masash të reja për të luftuar imigracionin e paligjshëm.

Përveç kësaj, qeveria britanike u zotua të shfuqizojë numrin e madh të vendimeve fillestare për azilin deri në fund të vitit të ardhshëm. Megjithatë, më vonë sqaroi se kjo mbulon vetëm 92,601 vendimet fillestare të azilit nga kërkesat e bëra përpara qershorit 2022, që është koha kur u miratua Akti i Kombësisë dhe Kufijve.

Qeveria njoftoi gjithashtu një marrëveshje të re me Shqipërinë për të vendosur më shumë staf të Forcave Kufitare të Mbretërisë së Bashkuar në aeroportin e Rinasit për të përshpejtuar kthimin e azilkërkuesve.

Në nëntor, qeveria nënshkroi një marrëveshje të re me Francën për të mbuluar kostot e patrullimeve të rritura të Kanalit.

Qeveria britanike gjithashtu ka një plan për të dërguar disa azilkërkues në Ruanda.

13:57- Dalin pamjet e reja, emigrantët kapen nëpër litarët e anijes për të shpëtuar, momentet dramatike në Kanalin Anglez

Të paktën katër persona kanë vdekur pasi një gomone emigrantësh u përmbys në Kanalin Anglez të ngrirë këtë mëngjes – një ditë pasi Rishi Sunak zbuloi një marrëveshje për këtë çështje.

Pamjet e jashtëzakonshme tregojnë momentin kur ekipet e shpëtimit arritën në mjetin e lundrimit, pasi rojet bregdetare të Mbretërisë së Bashkuar morën një alarm në orët e para të mëngjesit.

Edhe pse 43 persona u nxorën të gjallë dhe po marrin trajtim, katër janë konfirmuar tani të vdekur – me frikën se numri mund të rritet.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, reagoi për përmbytjen e varkës me emigrantë në Kanalin Anglez.

13:28- Tragjedia me emigrantët, reagon kryeministri britanik: Ndaj dhimbjen time për ngjarjen

Kryeministri britanik Rishi Sunak pranoi incidentin në Kanalin Anglez në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku 4 emigrantë humbën jetën pasi gomonia e tyre u fundos.

“Jam i sigurt që e gjithë Dhoma do të ndajë dhimbjen time për përmbysjen e një varke të vogël në Kanal në orët e para të mëngjesit të sotëm dhe humbjet tragjike të jetës njerëzore”, tha Sunak,

“Zemrat tona shkojnë për të gjithë ata që janë prekur dhe nderimet tona për ata që janë përfshirë në operacionin e gjerë të shpëtimit”, shtoi ai.

Fjalët e tij u bënë jehonë nga udhëheqësi laburist Sir Keir Starmer, i cili tha se lutjet e tij shkojnë për viktimat dhe të mbijetuarit.

“Është një kujtesë se bandat kriminale që drejtojnë ato rrugë vënë në rrezik jetën e të dëshpëruarve dhe përfitojnë nga mjerimi i tyre”, tha ai.

13:05- Tragjedia në Kanalin Anglez, e konfirmon qeveria britanike: Rritet numri i viktimave

Katër persona janë konfirmuar të vdekur pasi u përpoqën të kalonin Kanalin herët në mëngjes të së mërkurës, sipas një deklarate të qeverisë.

“Në orën 03:05 të ditës së sotme, autoritetet u njoftuan për një incident në Kanal në lidhje me një varkë të vogël emigrantësh në vështirësi. Pas një operacioni të koordinuar kërkim-shpëtimi të udhëhequr nga Rojet Bregdetare HM, me keqardhje ka pasur 4 vdekje të konfirmuara si rezultat i këtij incidenti, hetimet janë në vazhdim dhe ne do të japim informacione të mëtejshme në kohën e duhur.

Kjo është një ngjarje vërtet tragjike. Mendimet tona janë me miqtë dhe familjet e të gjithë atyre që kanë humbur jetën sot”, thuhej në një deklaratë të qeverisë britanike.

12:42- VIDEO/ Mes tyre fëmijë dhe gra, momenti i shpëtimit të emigrantëve në Kanalin Anglez

Të paktën 3 persona kanë humbur jetën këtë të mërkurë në Kanalin Anglez. Ata udhëtonin me një gomone nga brigjet e Francës, drejt Britanisë së Madhe kur gomonia e tyre u ça dhe përfunduan në ujin e akullt të kanalit.

Raportohet se 43 persona janë shpëtuar, ndërsa aksioni për shpëtimin vijojnë.

11:27- Dalin fotot e para, gomonia fundoset në Kanalin Anglez, emigrantët luftojnë të shpëtojnë

Mediat britanike kanë publikuar imazhet e para nga operacioni i kërkim-shpëtimit në fundosjen e gomonesme emigrantë.

Më herët u raportua se 43 emigrantë janë shpëtuar, ndërsa 3 kanë humbur jetën.

11:26- VIDEO/ Momenti kur dy helikopterë kërkojnë për viktima dhe të mbijetuar në Kanalin Anglez

Tre persona kanë humbur jetën pasi një varkë me emigrantë u përmbys në Kanalin e ngrirë anglez në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Thirrjet e urgjencës që raportonin se anija ishte në rrezik u morën nga roja bregdetare e Mbretërisë së Bashkuar pak para orës 3 të mëngjesit.

Ky është operacioni i parë i madh i njohur i shpëtimit i nisur në Kanal,  që pas nëntorit të 2021, pasi të paktën 27 migrantë dihet se kanë humbur jetën pasi gomone e tyre filloi të zhytej në ujë.

11:05- OKB reagon për incidentin në Kanalin Anglez: Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për emigrantët, UNCHR ka reaguar për incidentin që ndodhi në Kanalin Anglez në orët e para të mëngjesit.

“UNHCR është jashtëzakonisht e shqetësuar për raportet e një incidenti që përfshin një varkë të vogël që bartte rreth 30 persona në Kanal herët këtë mëngjes. Ne po kërkojmë informacione të mëtejshme nga autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar në këtë fazë”, tha agjencia e OKB-së në Twitter.

11:04 Tragjedia në Kanalin Anglez/ Mediat Britanike: Tre të vdekur dhe 43 të shpëtuar, kërkimet vijojnë

Mediat britanike raportojnë se të paktën tre viktima janë konfirmuar nga fundosja e varkës në Kanalin Anglez.

Mes të tjerash, LCB, shkruan se 43 persona janë shpëtuar nga rojet bregdetare, Marina Franceze dhe forcat e tjera të kërkim shpëtimit.

Kërkimet do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës, por ekipet e shpëtimit nuk po kërkojnë më të mbijetuar, duke pasur parasysh temperaturën e ulët të Kanalit.

10:38- Tragjedia në Kanalin Anglez, rruga e helikopterit të kërkim-shpëtimit, qeveria britanike: E vetëdijshme për incidentin

Imazhi më poshtë, i marrë nga FlightRadar24.com, tregon rrugën e një prej helikopterëve të kërkim-shpëtimit të dërguar për të ndihmuar me incidentin.

10:29 – Tragjedia në Kanalin Anglez, një vit më parë një tjetër gomone u fundos, 31 emigrantë humbën jetën

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Kanalin Anglez ku një varkë e vogël është përmbytur dhe si pasojë kanë humbur jetën të paktën nga 30 deri në 50 emigrantë.

10:20 Mediat britanike: Dyshohet për 50 viktima nga fundosja e gomones në Kanalin Anglez

Të paktën 30-50 persona dyshohet se kanë humbur jetën nga fundosja e gomones në Kanalin Anglez, sipas mediave britanike.

Tashmë ka nisur edhe një operacion për kërkime nga ajri për trupa të pajetë dhe për të mbijetuar. Gomonja me emigrantë mësohet se u fut në vështirësi në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa u ça dhe u mbyt.

10:10Varka shpëtimi e helikopterë në kërkim të të mbijetuarve, ky është vendi ku u fundos varka me mbi 30 emigrantë në Kanalin Anglez

Është publikuar vendi se ku është fundosur gomonja me mbi 34 emigrantë që po tentonin të kalonin gjatë natës nga Franca në Britaninë e Madhe.

Siç shihet nga harta, në këto momente shumë anije shpëtimi po kërkojnë për viktima dhe të mbijetuar. Sipas asaj që shkruan BBC, paraprakisht dyshohet të ketë viktima, megjithatë kjo nuk është konfirmuar ende nga autoritetet.

09:51“Bëhuni gati për shumë viktima…”, detajet nga mbytja e gomones në Kanalin Anglez, helikopterë e varka shpëtimi drejt “pikës së zezë”

Autoritetet në Britaninë e Madhe po përgatiten për një numër të madh viktimash në Kanalin Anglez, pasi një gomone është mbytur në tentativë për të kaluar nga Franca në Britaninë e Madhe.

Tashmë ka nisur edhe një operacion për kërkime nga ajri për trupa të pajetë dhe për të mbijetuar. Gomonja me emigrantë mësohet se u fut në vështirësi në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa u ça dhe u mbyt.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!