Pretendimet se Katari u ka dhënë ryshfet zyrtarëve të Bashkimit Evropian në përpjekje për të fituar ndikim përbëjnë “shqetësim të madh”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ajo tha se akuzat janë “shumë shqetësuese” dhe “shumë serioze”, dhe bëri thirrje për krijimin e një organi të ri të etikës në BE.
Më 10 dhjetor, Policia belge arrestoi katër persona, mes tyre edhe zëvendëspresidenten e Parlamentit Evropian, Eva Kaili, lidhur me disa hetime për korrupsion dhe pastrim parash. Katari i ka mohuar këto pretendime.
Policia belge sekuestroi të premten rreth 600 mijë euro, pas bastisjes në 16 lokacioneve në Bruksel. Po ashtu janë sekuestruar edhe kompjuterë dhe disa telefona.
Ligjbërësja greke, Eva Kaili, njëra nga 14 zëvendëspresidentët e Parlamentit Evropian, u mor në pyetje ditën e arrestimit.
Pas kësaj, Kaili është përjashtuar nga partia e saj në Greqi, Lëvizja Panhelenike Socialiste (PASOK).
Edhe grupi i qendrës së majtë të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian e pezulloi Kailin menjëherë.
Prokurorët në Greqi thanë gjithashtu se kanë ngrirë të gjitha asetet e saj.
Sipas raportimeve, ky hetim mund të përfaqësojë një nga skandalet më të mëdha të korrupsionit në historinë e Parlamentit Evropian.
Von der Leyen tha se besimi në institucionet evropiane kërkon standardet më të larta etike.
“Është çështje e besimit të njerëzve në institucionet tona dhe ky besim në institucionet tona ka nevojë për standardet më të larta”, tha ajo.
Nënkryetarja greke është njëra nga 14 zëvendëspresidentët e Parlamentit Evropian. Më 21 nëntor, Kaili kishte mbajtur një fjalim në parlament për Kupën e Botës që po mbahet në Katar, duke thënë se ky event ishte “dëshmi se si diplomacia e sportit mund ta arrijnë transformimin historik të një vendi me reforma që frymëzuan botën arabe”.
Ajo gjithashtu kishte thënë se ky vend, që është kritikuar nga perëndimi për trajtimin e punëtorëve emigrantë, është “kryesues i të drejtave të punëtorëve”.
Sipas një postimi në Twitter nga ambasadori i BE-së në Katar, Cristian Tudor, Kaili është takuar me Ministrin e Punës të Katarit, Samikh Al Marri.
Politikania greke ka qenë anëtare e Parlamentit Evropian që nga viti 2014 dhe zëvendëspresidente që nga viti 2022. Sipas biografisë së saj në uebfaqen e Parlamentit Evropian, ajo ishte gazetare nga viti 2004 deri në 2007 dhe më vonoi punoi si këshilltare për marrëdhënie me publikun në Greqi./REL/