Kreu i PD, Sali Berisha, ka folur në foltoren e parlamentit të Shqipërisë, për incidentin e ndodhur të martën e kaluar ku u godit me grusht nga Gerti Shehu, ndërsa ishte duke shkuar në bulevard për të bërë protestë, ditën që në Tiranë zhvillohej samiti BE-Ballkani perëndimor, ku të pranishëm ishin të gjithë liderët europianë.
Berisha tha se ai ndodhet në parlament për të treguar se opozita nuk rrëzohet kurrë dhe se do të vijojë luftën.
Ndërkohë akuzoi dhe fyeu edhe kryeministrin Rama, pasi për Berishën ai qëndron pas sulmit të Gerti Shehut.
“Flas sot në këtë parlament me thirrjen time drejtuar mbarë qytetarëve shqiptarë, popullit opozitar, jnë këto momente në të cilat ky regjim i mbështetur tërësisht në krimin, drogën, vjedhjen e qytetarëve shqiptarë dëshmoi se është i aftë të bëjë gjithçka për eliminimin e opozitës së vërtetë. Unë jam sot këtu para jush si dëshmi e shpirtit të pamposhtur të opozitës, si dëshmi e vendimit të saj sublim për tu përballur dhëmb për dhëmb me këtë regjim kriminal, me kreun e tij Edi Rama, i cili në traditën e etërve të tij xhelatë, babai i tij që firmoste varjen në litar të kundërshtarit, dajos së tij që urdhëronte varrosjen të gjallë në Vloçisht të kundërshtarëve politikë. Jam këtu për t’i thënë se je i pashpresë, se me asgjë nuk do arrish kurrë të mposhtësh opozitën e shqiptarëve. Jam këtu për t’i thënë se në aktin më korruptiv ke arritur të blesh dhe të shesësh, deklarata, deputetë, kryetarë opozite etj, por ato kanë marrë fund, janë arkivuar siç do arkivohesh ti në kohërat që vijnë. Rama duke nxjerrë në mes të rrugës një kriminel, një agjent, një informator të policisë kriminale, të përgatitur me ministrin e familjes, që në kohëra të ndryshme ndajnë të njëjtën bashkëshorte. Rama mendoi se kjo është rruga për të triumfuar me opozitën. Po ta them këtu se të gjithë kriminelët po t’i mbledhësh, të gjithë vrasësit, , trafikantët kurrë nuk do mund të mposhtësh popullin opozitar”, tha Berisha.
Ndërkohë kreu i PD tha se fali agresorin e tij, pasi Gerti Shehu e bëri këtë veprim pasi ishte paguar, ndërsa shtoi se një tjetër arsye që e fali është se në Kuvend ka shumë personazhe si Gerti.
“Qytetarë kam marrë shumë mesazhe nga ju, dhe unë mbështes të njëjtën përgjigje si ju, kundër këtij burracaku që zgjodhi një ditë të rëndësishme për shqiptarët, duke menduar se ajo të jetë si maskë mbulesë për të. E fala Gerti Shehun se është mjeran që merr para, por e fala se Gerti Shehu ka këtu në parlament. Atëherë pse të rrijë ai në burg dhe Gertat e tjerë të rrinë këtu, nuk ka moral këtu”, vijoi më tej Berisha.
Ndërkohë Berisha bëri sërish thirrje për revolucion, pasi sipas tij kjo është e vetmja mënyrë për të rrëzuar atë që ai e quan regjim.
“Ju bëj thirrje të ngrihemi, se ky regjim nuk ikën pa revolucion. Revolucioni askënd nuk duhet të trembë, është fladi i lirisë për të përzënë”, përfundoi Berisha.