Moti i keq, si paraqitet situata në të gjithë vendit dhe zonat problematike

schedule09:45 - 12 Dhjetor, 2022

schedule 09:45 - 12 Dhjetor, 2022

Reshjet gjatë dy ditëve të fundit kanë sjellë problematika të shumta në zona të ndryshme.

Në Lezhë raportohet për 410 hektarë tokë të përmbytur, konkretisht në fshatrat në Tresh, Balldren dhe në Gjonem. Në Shkodër raportohet për rreth 300 ha tokë të përmbytur. Si pasojë e motit të keq ka mbetur pa energji elektrike pjesa më e madhe e Njësisë Administrative, Guri Zi.

Në fshatin Gjormë të Kurbinit ka ende prezencë uji  nga reshjet. Disa familje gjatë dy ditëve janë të izoluara nga uji  ndërsa janë evidentuar dëme në të mbjella,  dhe bazën ushqimore. Shkak i kësaj situate mbeten kanalet kulluese të pa pastruara, kjo sipas banorëve shfaqet prej disa vitesh.  Banorët kërkojnë ndërhyrje nga bashkia, në pastrimin e kanaleve kulluese, ndërsa thonë se dëmet janë të mëdha në bujqësi madje dhe në blegtori. Reshjet e shiut gjatë orëve të pasdites së djeshme janë ndaluar, por ende ka sipërfaqe të mëdha toke që ndodhen nën pushtetin e ujit.

Ndërkohë situata në zonën e Durrësit sot duket më e përmirësuar. Lumi Erzen është në kuotat maksimale dhe në disa zona ka dalë nga shtrati. Konkretisht në lagjen Totaj të njësisë administrative Sukth. Nga dalja e lumit Erzen nga shtrati janë përmbytur rreth 300 hektarë toka bujqësore, por s’ka probleme në banesa.

Në Dibër, në orët e vona të natës janë ndërprerë reshjet e shiut. Përrenjtë kanë prurje për shkak të shkrirjes së borës por nuk ka probleme. Ka pasur ndërprerje të energjisë në disa zona të thella. Grupet e remontit janë në terren.

Për sa i përket bashkive të Tepelensë dhe Memaliajt situata paraqitet e qetë dhe nuk ka pasur situata emergjente. Rruga që lidh fshatrat e Kurveleshit është e kalueshme dhe sot do të punohet në to për pastrimin e inerteve.

Përsa i përket funizimit me energji të gjitha fiderat janë në punë. Pa energji janë 3 fshatra Mezhgoran Levan dhe Kashisht, por grupet e punës janë në terren. Vjosa është në lartësinë 3,5m. Shtabet e emergjencës ndodhen në gaishmëri. Niveli i lumit Vjose në Novoselë ndodhet në nivelin e  6.2 metrave. Ka rënie të nivelit krahasuar me mbrëmjen e djeshme kur arriti nivelin 6.8 metra. Nuk ka probleme për banesat. Uji është tërhequr edhe pranë pazarit te vjetër. Sipas informacioneve nga njësia administrative Novosele prurjet janë ulur ç’ka ka ndikuar edhe në nivelin e lumit Vjosë.

 

Situata në bashkitë Përmet dhe Këlcyrë është e qetë. Probleme në komunitet nuk ka pasur. Reshjet e shiut kanë pushuar dhe infrastrukturë është normale. Pjesa më e madhe e fshatrave u furnizuan dje me energji elektrike. Ekipi OSHEE është në teren dhe po punon për furnizimin e tre fshatrave të mbetur te NjAd Petran, Bashkia Përmet.

Ne dy fshatrat e Krujës Murqinë dhe Mallkuç ka prezence të ujit nga dalja e shtratit të lumit Ishëm. Rreth 200 ha tokë bujqësore është e mbuluar nga ujë.

/abcnews.al/