Sveçla përgënjeshtron Vuçiçin, publikon foto të policit të plagosur në veri

schedule08:44 - 11 Dhjetor, 2022

schedule 08:44 - 11 Dhjetor, 2022

KOSOVE – Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke iu përgjigjur deklaratave të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se ish-ministri i propagandës në kohën e Millosheviqit, në mungesë të çdo preteksti e arsyetimi për veprimet kriminale të grupeve që dirigjon, i është kthyer rolit kryesor të mëhershëm, atij të propaganduesit.

Sveçla tha se Vuçiq gënjeu se kinse zyrtari policor Ekrem Neziri është lënduar nga xhamat në sulmet ndaj zyreve të KKZ-së në Mitrovicën e Veriut.

Për këtë si dëshmi, ministri ka publikuar edhe fotografi të plagosjes.

“Aleksandër Vuçiq, ish-ministri i propagandës në kohën e Millosheviqit, në mungesë të çdo preteksti e arsyetimi për veprimet kriminale të grupeve që dirigjon, i është kthyer rolit kryesor të mëhershëm, atij të propaganduesit. Një nga gënjeshtrat e tij të shumta ka të bëjë me plagosjen e zyrtarit policor Ekrem Neziri se kinse është lënduar nga xhamat në sulmet ndaj zyreve të KKZ-së në Mitrovicën e Veriut”, u shpreh ai.

Një tjetër element vërtetues sipas Sveçlës është se sulmet ndaj zyreve të KKZ-së kanë ndodhur me datë 6 dhjetor ndërsa sulmi me armë zjarri ndaj zyrtarit policor Ekrem Neziri ka ndodhur me datë 8 dhjetor në fshatin Serbovc, mes Zveçanit dhe Leposaviqit.

Ministri tregoi se ka edhe pamje (fotot bashkëngjitur), edhe dëshmitarë nga KFOR që kanë shkuar në vendin e ngjarjes si dhe ka edhe raport mjekësor që e dëshmon këtë.

“Këto të pavërteta dhe shumë të tjera janë përpjekje të dështuara të Vuçiq, që kanë për qëllim të kamuflojnë sulmet e grupeve të tij kriminale. Policia e Kosovës asnjëherë të vetme nuk ka terrorizuar apo sulmuar asnjë qytetar, aq më pak për shkak të përkatësisë etnike. E vërteta është se grupet kriminale të dirigjuara nga Vuçiq kanë shtënë për t’i eliminuar zyrtarët tanë policor si dhe kanë sulmuar brutalisht e terrorizuar qytetarët tanë”, u shpreh ai.

Më tej Sveçla shtoi se propaganda e Vuçiqit më nuk gjenë adresë, askund.

“Ne do të vazhdojmë dhe do të qëndrojmë, për të gjithë qytetarët pa dallim e për shkatërrimin e të gjitha grupeve kriminale që dirigjon propaganduesi Vuçiq dhe jo vetëm”, shkroi Sveçla.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!