Drejtori i përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Astrit Hado i ftuar në studion e ABC Live në një bashkëbisedim me gazetaren Sibora Bitri u shpreh që tashmë marrëveshja është miratuar nga parlamenti zviceran dhe rreth 3200 shqiptarë që punojnë aktualisht në Zvicër mund të përfitojnë nga kjo marrëveshje.
Por marrëveshja njeh dhe të gjitha kontributet e paguara në Zvicër nga qytetarët shqiptarë si dhe kontributet e qytetarëve zviceranë në Shqipëri. Drejtori i përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Astrit Hado theksoi që shumë pranë marrëveshjes është dhe Italia dhe ka përfunduar marrëveshja me Kroacinë.
Sipas Hado nga kjo marrëveshje përfitojnë rreth 3000 – 3200 shqiptarë, por nuk është i rëndësishëm numri, por parimi. Ka një numër të madh shqiptarësh që kanë punuar në Zvicër dhe janë larguar diku tjetër. Duke qenë se marrëveshja është me afat të pacaktuar, do të vlejë edhe për ata që kanë punuar në të kaluarën si dhe për të ardhmen.
Marrëveshja nuk mbulon ata persona që marrin asistencë sociale, ose trajtohen me ndihmë ekonomike, mbulon vetëm punëtorët që punojnë në mënyrë të ligjshme dhe paguajnë kontributet.
“Sigurisht duke paguar kontributet, duhet të kesh një periudhë të caktuar sigurimi, 15 vjet, kaq e ka dhe Shqipëria, shpeshherë qytetarët nuk i plotësojnë vitet e pensionit, nuk i plotësojnë kriteret në asnjë vend, prandaj këtu hyn në punë marrëveshja”, u shpreh Hado./Abcnews.al/