Dy persona të arrestuar dhe një procedim pa autor dhe një tjetër procedim në gjendje të lirë, është bilanci i publikuar nga Prokuroria, lidhur me shkeljet e evidentuara gjatë procesit zgjedhor të së dielës. Arrestimi i parë është bërë në Sukth të Durrësit, pasi një 53-vjeçar është futur me kallashnikov në dorë në një qendër votimi dhe ka kërcënuar komisionerët. Ramiz Bakanaçi ka thyer kutinë e votimit e ka marrë materialet zgjedhore duke i hedhur jashtë qendrës së votimit.
I arrestuari i dytë mësohet se është 66-vjecari Astrit Çuçka, i cili ka grisur fletën e votimit në mënyrë demonstrative. Më pas, sipas policisë, ai ka tentuar të marrë vulat e qendrës së votimit e të thyejë kutinë e votimit.
Gjithashtu, sipas informacionit të shpërndarë nga Prokuroria e Përgjithshme, organi i akuzës në Mat ka regjistruar 1 procedim pa autor, për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, pasi rreth orës 00:30, në njërën nga klasat e shkollës ku ishte caktuar një qendër votimi, është hedhur një sasi e dyshuar si lëndë eksplozive.
Ndërkaq, Prokuroritë e tjera kanë njoftuar se nuk kanë regjistruar procedime penale lidhur me veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe çdo shkelje që lidhen me zgjedhjet e 30 qershorit.
Gjate paradites, në Shkodër policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë kryetaren e Bashkisë Voltana Ademi për veprën penale “Pengim i zgjedhësit”. Në njoftimin e policisë thuhet se procedimi ka ardhur pasi Ademi, duke ushtruar funksionin si kryetare e Bashkisë Shkodër ka urdhëruar me shkrim punonjësit e kësaj Bashkie që të mbyllin disa qendra votimi në shkolla që administrohen e janë në pronësi të Bashkisë Shkodër.
Nuk ka vonuar reagimi i kryebashkiakes së Shkodrës, e cila përmes një konference për shtyp ka deklaruar se procedimi penal ndaj saj është veprim politik i Edi Ramës./ABC News Albania 24/7