Dani Alves: Do të bëj gjithçka për kombëtaren

schedule15:32 - 1 Dhjetor, 2022

schedule 15:32 - 1 Dhjetor, 2022

Veterani i krahut të mbrojtjes braziliane, Dani Alves është duke marrë pjesë në Botërorin e tij të fundit në karrierë. Futbollisti 39-vjeçar ka folur për mediat, para ndeshjes së fundit të fazës së grupeve kundër Kamerunit, duel në të cilin Alves mund të sigurojë disa minuta.

Në konferencën për shtyp, anësori i Brazilit është shprehur i gatshëm të “përmbushë” misionin e caktuar dhe se është gati të luaj çdo pozicion për “seleçaot”.

“Nuk ka rëndësi se çfarë turneu është, nëse është një miqësore apo një Kupë Botërore, të përfaqësosh vendin tim është diçka që më bën shumë krenar. Të jem në gjendje të mbyll karrierën me kombëtaren, duke luajtur një Kupë Botërore më bën shumë të lumtur. Misioni im është të jap më të mirën time për ekipin. Në dy ndeshjet që nuk kam luajtur, skuadra kishte nevojë për një mbrojtës, unë jam më shumë një sulmues. Unë jam këtu për t’i shërbyer Brazilit. Nëse më duhet të luaj bateri, unë do të jem bateristi më i mirë. Më jep një mision dhe unë do ta ekzekutoj”,- është shprehur Alves, në konferencën për shtyp.

Ndërkaq, nëse Dani Alves arrin të sigurojë disa minuta ndeshjen e nesërme, ai do të barazojë rekordin e Roberto Carlosit, si lojtari me më shumë ndeshje për brazilianët, me 125 të tilla. /i.m /abcnews.al