I përfshirë në disa vrasje që tronditën Shqipërinë, si e nxori “zbuluar” Nuredin Dumani, Eljo Bitrin

schedule19:06 - 30 Nëntor, 2022

schedule 19:06 - 30 Nëntor, 2022

Holanda ka mundur që sot të vërë në pranga një të shumë kërkuar shqiptar. Ai është Eljo Bitri, i cili u bë shumë i njohur për shkak se vrasësi serial Nuredin Dumani e ka përfshirë në disa ngjarje kriminale.

Eljo Bitri, i njohur ndryshe me emrin Bledar Debrova, përfshihet nga dëshmia e Dumanit në vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, ndërsa mbi të rëndojnë plotë 7 akuza. Disa më të bujshmet janë ato të vrasjes së Dorjan Shkozës, Anxhelo Avdiajt, Emiljano Ramazanit, Sokol Sanxhaktarit, si dhe sulmin me sulmi me eksploziv ndaj banesës së Talo Çelës etj.

Eljo Bitri u arrestua në Holandë në qytetin Leiden. Në momentin e arrestimit, ai ishte i armatosur me armë zjarri pistoletë me silenciator dhe me dokument me identitet tjetër.

Gjithashtu, Eljo Bitri ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Belgjika, pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Bruksel, më datë 31.05.2022, ka lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”.

Akuzat e SPAK për Eljo Bitrin:

Eljo (Ervis) Bitri, i biri i Nazmi dhe i Minushe, i datëlindjes 09.02.1987 lindur dhe banues në Gostimë, Elbasan, i dyshuar për kryerjen e veprave penale:

1.“Shkatërrim i pronës me eksploziv” në dëm të shtetasit Mustafa Subashi (ngjarje e ndodhur në Durrës në datën 29.01.2020) dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 152 dhe 278/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

2.“Vrasja në rrethana te tjera cilësuese”, ndaj dy ose më shumë personave, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armeve, armeve shpërthyese dhe i municionit”, në dëm të viktimave Dorjan Shkoza e Anxhelo Avdia (ngjarje e ndodhur në datën

2.03.2020) të kryera në bashkëpunim të veçantë atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, (në rolin e pjesëmarrësit)  dhe “Kryerja e veprave penale nga  grupi i strukturuar kriminal” parashikuar nga nenet  79/dh, 278/1, 28/4, 333/a/2 dhe  334  të Kodit Penal;

3.“Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 78/2, 278/1, 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal (vrasja në dëm të viktimës Emiljano Ramazani më datë 20 Korrik 2020 në lagjje “28 Nëntori”, Elbasan).

4.Shkatërrim i pronës me eksploziv”ndaj banesës së shtetasit Talo Çela (ngjarje e ndodhur në datën 05.11.2020) dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 152 dhe 278/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

5.“Dhuna në familje” në dëm të shtetases Blerta Bengasi (Ruçi), kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 130/a/1, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

6.“Vjedhje me dhunë”, në dëm të shtetasit Hamdi Sharka (ndodhur në fshatin Polizhan – Berat), kryer në bashkëpunimin e posaçëm në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 139, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

7.“Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/2, 334 të Kodit Penal.

Më poshtë po sjellim dëshminë e Dumanit, kur përmend Eljo Bitrin, që hedh dritë mbi akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Dëshmia e Nuredin Dumanit – Vrasja e Bujar Çelës, vëllai i Talo Çelës

“Në lidhje me vrasjen e Bujar Çelës të ndodhur në Elbasan në 17 Shtator të vitit 2020 dua të sqaroj se, arsyeja që u vra Bujari ishte se 2 ditë më parë më datë 15 shtator të vitit 2020 u vra miku im Klevis Kapllani në Rrogozhinë (dyshoj se ngjarja është kryer nga Talo Çela dhe njëri nga vëllezërit Manhasa). Arsyeja e vrasjes së Kapllanit ishte se kishte dërguar pistoletën në ngjarjen e Ramazanit tek servisi i Seit Manhasës vëllait të autorit.

Unë u organizova me Enver Diven dhe me Besmir Xhixhën. Komunikova me Erjon Alibej edhe i thashë që do ndërroj objektiv nuk do ti bëj atentat Dine Çamit por do organizoj vrasjen e vëllait të Talo Çelës për të marrë hakun e shokun tim. I thash Erjonit do t’i jap çunave 60.000 Euro, Enverit dhe Besmirit. Jemi takuar në 16 Shtator me Enverin dhe Besmirin në fshatin Pajovë dhe kemi qëndruar gjithë natën në një arë në Pajovë duke pritur orën 04:00 të mëngjesit pasi Bujar Çela në këtë orë çohej për të shkuar tek autobuzat që vinin nga Greqia dhe pinte kafe aty.

Në orën 4:00 kemi shkuar tek shtëpia e Bujar Çelës por na diktuan. Unë së bashku me çunat i shkova para shtëpisë dhe po prisja që të hapej dera e banesës për të dalë jashtë Bujari. Duke qëndruar në pritje vjen pas meje një shtetas të cilin nuk e njihja dhe e pyes kush je ti ? Më tha që jam i shtëpisë këtu. Unë isha veshur me një jelek antiplum dhe i them personit jam i Policisë. I thash çunave, o komandant hajde se na pikasën dhe u larguam.

Unë isha me mjetin Mercedes E Class i vitit 2012 i cili ishte e vjedhur…. Pasi ikëm direkt tek kthesa e Cërrikut që të largoheshim nga lagja e Bujarit. U ktheva edhe njëherë bashkë me Besin dhe Enverin tek lokali ku unë e dija që ai e pinte kafen në mëngjes. Për vendndodhjen se ku e pinte kafen Bujari më kishte informuar Eljo Bitri. Eljon e kisha si informator por në këtë ngjarje nuk e dinte që do vritej atë ditë Bujari… Kur jam kthyer nga kthesa e Cërrikut për te lokali që do kryenim ngjarjen, kam ndaluar tek një karburant dhe kam hedhur naftë.

Më pas shkova drejt vendngjarjes. Nuk e mbaj mend nëse isha unë para apo makina tjetër. Rrugës afër lokalit pashë që doli nga makina Bujar Çela në atë moment bëra rreth rrotullimin dhe e ndalova makinën pak më përpara lokalit. Enveri me Besin ishin me makinën Renault përballë lokalit ku po prisnin që të afrohesha unë. Kur ata më panë që unë zbrita nga makina, Enveri doli nga makina ku po qëndronte dhe shkon në drejtim të Bujar Çelës për ta qëlluar. Personat që ishin në tavolinë me Bujarin u çuan dhe u larguan, në atë moment Enveri e goditi me armën Scorpions 7.65 diku tek 20 herë. Unë shkova për ta qëlluar por pistoleta me ngeci. Ishte pistoleta që me kishte falur Talo Çela. Bujari nuk kishte vdekur akoma por unë e doja të vdekur.

Meqenëse mua mu bllokua arma që kisha thërras Besin që ishte shofer dhe i thash hajde më sill armën. Më tha ça të bëj, i thash ta godiste në kokë. Ai qëlloi dy herë me pistoletë 9 mm nuk e mbaj mend armën. Jemi larguar direkt pastaj secili me makinë të vetë në drejtim të Peqinit ku unë ika shumë para dhe prita sa të vinin çunat me Renault. Ja bëra me shenjë kur i pashë që të ktheheshin tek vendi ku do digjeshin makinat. Çunat e futën makinën dhe e dogjën dhe që të 2 erdhën te makina ime tip Benz.

U larguam deri në Fushë Krujë me benzin….Armët i kemi hedhur në kanal. I kemi hedhur tek rruga dytësore në Plepa tek kanali. Mbas shinave ku është rotondo jemi kthyer djathtas dhe kemi hedhur armët. Nëse shkoj në vendin e ngjarjes mund ta identifikoj vendin. Lekët mi ka sjellë Erjoni nëpërmjet një personi në Vorë ku unë kam nxjerr Enverin dhe Besin të marrin lekët me sa mbaj mend. Erdhën lekët tek unë dhe ja ndava të dyve. Unë nuk mbajta asnjë lek. Të dyve i ranë nga 30.000 Euro për kokë. Unë pastaj u largova për në Kosovë. Arjanit i kam shkruar për këtë ngjarje.”

Dëshmia e Nuredin Dumanit – avokati i njohur jep 120 mijë euro për vrasjen e ish-gruas

“Në fund të vitit 2019 ose fillim të vitit 2020 mesa mbaj mend, më kërkon Festim Qoli por se mbaj mend me telefon ose me ndonjë person, takimin e kemi bërë tek shtëpia e Festimit. Kur kam shkuar tek shtëpia më ka kërkuar ndihmë për një mikun e vet. Ishte avokat, ky avokat ka qenë edhe avokati im në çështjen që ka pasur për heqje të lirisë së personit në vitin 2013, mbaj mend që ka pasur një Range Rover të fundit me 444.

Avokati është qeros, i gjatë i dobët me emrin Alban. E kam takuar dhe vetë mbrapa për këtë punë që më tha Festimi. Kam shkuar në darkë tek Festimi, pasi ndenjëm më kërkoi të rrihnim një femër kundrejt pagesës. Kjo femra jetonte në Tiranë tek Kodra e Diellit ja di dhe pallatin nëse shkoj dhe shikoj. Ajo kishte një fiat punto ngjyrë vishnje me sa mbaj mend unë dhe targat mund të kenë qenë 020DI por s’jam i sigurt për këtë gjë. Festimi më tha sa lekë doja që ta beja si punë.

Unë i thash që nuk e kam me qef me e rraf, por do e diskutojmë që ti çojmë dikë tjetër. Festimi ma kërkoi me ngulm këtë gjë pasi donte t`ja bënte si nder mikut të tij që kishte avokat. Këtë punë Festimi donte shumë që tju realizonte pasi kur ra tërmeti në nëntor, ju prish kompleksi dhe kërkonte dëmshpërblim nga shteti dhe avokati do e ndihmonte që të merrte 500.000 euro. Festimi më çoi afër te shtëpia e saj dhe më tha se kush ishte objektivi. Unë e pashë atë ditë dhe e fiksova si pamje.

Nga ajo ditë unë e ndoqa disa ditë vetëm për ti mësuar intenerarin dhe më pas e kam ndjekur një ditë me Asllan Plakun por ai nuk ma mbushi mendjen dhe e lashë si punë që të ma bënte ai dhe më pas i thash Eljo Bitrit dhe një djalë tjetër që nuk ja mbaj mend emrin dhe as si pamja nuk e mbaj mend mirë. E kam ndjekur gruan edhe me Eljon dhe atë djalin dhe i tregova ku rri çfarë bën. Mbaj mend që ajo blinte byreqe në drekë tek një byrektore një kioskë njëkatëshe afër një shkolle, ajo rruge ka qenë mbrapa ish tregut elektrik mbaj mend që nga ajo rrugë dilje te një spital dhe më pas tek Tegu.

Ajo merrte çdo ditë byrek aty, ndonjëherë ajo pinte dhe kafe në një lokal në katin e 2 me disa gra të tjera. Pasi e pa Eljo se ku ishte u sigurua për personin dhe unë ika pastaj. Dua të shtoj se Festimi donte patjetër që ti thyenim një këmbë ose një dorë. Eljo mbasi mbaroi punën më ka shkruar mesazh dhe më pas kemi pirë kafe duke më thënë që e kreva atë punë. Më tregoi që i kishte rënë me grushta fytyrës derisa e kishte parë që kishte qenë duke i dalë gjak nga fytyra. Godija ka ndodhur brenda në mjeti. Goditja ka ndodhur përballë byrektores.

Unë e prisja gruan që kur dilte nga shtëpia nuk e mbaj mend orën, dhe e ndiqja deri tek byrektoret në fakt e ndiqja kudo që shkonte ajo, doja të dija me imtësi rrugët që bënte ku shkonte që ti jepja informacion të plotë çunave. Shkova te Festimi i kërkova lekët por ai nuk ishte i kënaqur sepse nuk kishim thyer as këmbë as dorë por vetëm turinjtë. Festimi në atë moment kishte folur me avokatin. Avokati nuk ishte i kënaqur sepse nuk ishte arrit kërkesa e tij, ai donte që gruaja e tij të ishte sa më e dëmtuar.

Avokati pagesën ja dha Festimit dhe i kishte kërkuar Festimit që të bënim një takim të 3 të shkoja dhe unë që të diskutonim që ta eleminonim gruan e tij komplet pasi nuk donte që të ishte më gjallë. Mesa di unë avokati nuk donte që gruaja e vet të ishte gjallë pasi ajo e kishte tradhtuar me një shokun e vet të ngushtë. Duke e ndjek gruan unë e pash në fakt edhe të dashurin që vinte tek shtëpia e kësaj gruaje në Kodrën e Diellit, e kam parë disa herë. Ishte një burrë rreth të 45 – 50, trup i shëndosh i madh.

Takimin e bëmë në një lokal në Tiranë, vendin nuk e mbaj mend se ishte natë. Isha unë me Festimin dhe më vonë erdhi edhe avokati me një person tjetër që kishte dalë nga burgu pasi e kishte nxjerrë avokati. Në tavolinë avokati më shprehu pakënaqësi për punën e pabëre siç duhet dhe më pas më tha më mirë që shkoi kështu pasi më është shtuar inati dhe dua ta eliminoj fare.

Më ofroi çmimin e 120.000 eurove për ta mbaruar si punë. I thashë është shumë pak për një femër. Më thanë nëse nuk e bën ti do ti them Gjegj Cukalit ta bëj pasi më ka borxh për një nder pasi e kam nxjerr nga burgu. I thashë vazhdo me Gjergjin unë se marr përsipër këtë gjë. Ndenjëm dhe gjysmë ore tjetër por nuk e diskutuam më këtë gjë.

Ai po na tregonte se për rrahjen mos u bëj merak ti as shokët pasi po iku për të bërë denoncim ajo unë shefin e komisariatit e kam njeriun tim dhe ndërhyn ai që për këtë ngjarje të mos arrestohet kush. Pastaj ikëm për punën tonë unë me Festimin në Durrës. Gjatë rrugës Festimi me tha pse se mere atë punë pasi ai është robi jonë dhe do na bënte shumë ndere dhe punë të tjera se do e kishim në dorë atë pasi ai ka lidhje me gjyqtarë dhe prokurorë. Edhe unë për atë punë e mbaj afër atë. Ai pinte shumë mall, kokainë. E mbyllëm si muhabet dhe se hapëm më.”

Dëshmia e Nuredin Dumanit – Grabitja e një shtëpie në Berat (20 prill 2017)

“Në vitin 2017 kam dalë nga burgu dhe tek dera e burgut të Rrogozhinës më pret Talo Cela me një Benz E class ngjyrë vishnjë e vitit 2012. Së bashku me të ishte dhe shtetasi Dorian Shkoza dhe më kanë çuar në shtëpi. Pas disa ditësh më tha Talo për një grabitje ku do te merrnin pjesë shumë persona.

Ishte një shtëpi në një fshat të Beratit dy katëshe nga Poshja e Beratit ose Kosova se mbaj mend fiks. Më ka lajmëruar Talo në telefon me sms duke më thënë “hajde duku”. Kam shkuar tek vendi i quajtur Pilafi duke i marrë një kushëririt tim një Porche Cayen dhe aty kam takuar personat Talon, Eljo Bitrin, Kel Kamamin, Gent Sharren.

Kemi qëndruar 1,5-2 orë dhe më pas kemi shkuar tek kafja e Gent Sharres duke pritur qe të errësohej. Në afërsi të servisit të Gent Sharrës Talo kishte një garazh pronar i së cilës do të vinte me ne të merrte pjesë në vjedhje. Këtë person nuk e kisha parë asnjëherë dhe nuk ia di emrin.

Shkuam e morëm tek garazhdi këtë person dhe në mjetin që do të përdornim në vjedhje kemi hypur unë, Talo Çela dhe Eljo Bitri. Ky ishte një benz C class i vjedhur. Në afërsi të Belshit jemi takuar me Kel Kamanin që ishte së bashku me tre persona të tjerë të cilët nuk i njihja. Keli ishte me një mjet C class edhe ai të vjedhur. Jemi nisur të dy makinat në drejtim të fshatit ku do të kryenim grabitjen. Kemi parë një herë zonën nga larg ku ndodhej shtëpia dhe kemi bërë rrethimin e shtëpisë.

Plani ishte që unë me Kelin do të thyheshim derën të hynim brenda sepse informacioni ishte se në shtëpi kishte shumë njerëz. Kemi vënë re se një prej personave të shtëpisë ndez dritën dhe shkon në banjë. E pamë këtë moment si të përshtatshëm që të hynim në shtëpi. Unë kisha në dorë kallashnikov dhe Keli kishte po kallashnikov.

U mbajtëm me njëri tjetrin dhe të dy njëkohësisht i ramë derës me shkelm. Dera u hap dhe ajo ra në tokë. Neutralizuam burrin që ishte në tualet dhe hynë çunat e tjerë. Unë me Kelin mbajmë burrin dhe gruan dhe të tjerët kontrollonin për lekët. Njëkohësisht pyesja burrin se ku i kishte lekët. Ai thoshte që nuk kam. Pasi kemi qëndruar rreth 20 min duke kontrolluar s’gjetëm gjë lekë vetëm një pistoletë TT.

E morëm pistoletën, telefonat ua thyem për të mos patur kontakt dhe marrim gjithashtu dhe benzin e të zotit të shtëpisë dhe largohemi. Benzi ishte E class ngjyrë gri prodhim i vitit 2004-2005. Për tu larguar marrim rrugën Berat-Lushnjë Fier. Në Fier pa shkuar tek rotondo e fundit hedhim benzin në një kanal.

Tentuam që ta hedhim por ai nuk ra plotësisht. Kthehemi me dy mjetet dhe marrim rrugën për në Elbasan për nga Rrogozhina. Pistoletën e mbajtën nuk e di se kush dhe unë pas disa kohësh kam shkuar në Francë ku më pas rashë në burg, në Bordo.”