Sa të varur jemi nga gruri i Rusisë?

schedule17:26 - 30 Nëntor, 2022

schedule 17:26 - 30 Nëntor, 2022

Raportimet për bllokimin e kanaleve tregtare të grurit nga Rusia si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të Perëndimit pas luftës në Ukrainë, rritën ankthin e konsumatorëve. Në Shqipëri kjo u reflektua me blerjen e sasive të mëdha të miellit nga familjarët për të siguruar bukën në dimër. Por sa reale është varësia jonë nga gruri i Rusisë? Ekpertët e ‘shohin gotën gjysmë plot’ dhe shjegojnë se taktika e Rusisë po shtyn vendet e rajonit në eksplorimin e tregjeve të reja të grurit, ndërsa qeveritë po  nxisin skemat e mbështetjes së kultuvimit të grurit vendas. Ndryshe nga Shqipëria, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë Serbinë tregun kryesor të blerjes së grurit dhe varësia e tyre me vendet në konflikt nuk është direkte.

Esmeralda Topi

Pas bllokadës që shtoi pasiguritë mbi furnizimin me ushqime dhe drithëra në mbarë botën, Rusia zgjati me katër muaj të tjera marrëveshjen që lejon eksportin e drithërave nga Ukraina përmes Detit të Zi. Kjo vendimmarrje që rezultoi e shumëpritur edhe nga OKB, tregoi se siguria ushqimore varet në mënyrë të konsiderueshme nga ky shtet.

“Unë mirëpres marrëveshjen e të gjitha palëve për të vazhduar iniciativën për Drithërat e Detit të Zi, për të lehtësuar lundrimin e sigurt të eksportit të drithërave, produkteve ushqimore dhe plehrave nga Ukraina.”- deklaroi më 17 nëntor Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres.

SA RREZIKOHET SHQIPËRIA NGA BLLOKADA?

Raportimet e luftës dhe kriza që vjen si pasojë e saj kanë ndikuar edhe në jetën e konsumatorëve shqiptarë, kur vjn fjala tek sigurimi i produkteve bazike. Mirjana Hoxha është një pensioniste nga Korça. Këtë vit për herë të parë ajo ka blerë 80 kg miell, tek një i afërm nga fshati Tren i Devollit, pasi i trembet mungesës së furnizimit me grurë apo rritjes së çmimit, për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë.

“Kam blerë dy thasë me miell, 40 kg secili, pasi nuki dihet se çfarë ndodh. 80 mijë lekë pagova dhe e kam të fjetur mendjen për ca kohë.”- thotë për Faktoje Mirjana, duke na treguar thesin me miell që ka nisur të përdorë për të bërë bukë.

Të dhënat e sigurura nga Instituti i Statistikave tregojnë se vitin e kaluar Rusia dhe Serbia ishin tregjet kryesore të importit të grurit në Shqipëri.

Nga 222 mijë ton grurë të blerë jashtë në 2021, Shqipërisë 144 mijë ton i kanë ardhur si furnizim nga Rusia dhe 46 mijë ton të tjera nga Serbia.

Por me bllokimin e kanaleve tregtare në nisje të konfliktit Rusi- Ukrainë tregtarët shqiptarë u detyruan t’i drejtohen përkohësisht edhe tregjeve të reja.

“Punuam me vende të tjera dhe kemi zgjeruar hartën e importeve pas nisjes së konfliktit. Pa u liruar Rusia dhe Ukraina, u punua me Rumaninë, Bullgarinë dhe Serbinë. Pra këto janë vendet që zëvendësojnë Rusinë dhe Ukrainën në rast bllokade.” – thotë për Faktoje, Adi Haxhiymeri, Kryetar i Shoqatës Prodhuese të Miellit në Shqipëri.

Rihapja e kanaleve tregtare si dhe përjashtimi i eksporteve ushqimore ruse nga sanksionet shihet si zhvillim i rëndësishëm për zinxhirin furnizues të grurit në Shqipëri.

“Është shumë me rëndësi pasi dihet që rreth 60% e importeve tona bëhet nga Rusia.” – thekson Haxhiymeri duke shtuar se nuk sheh asnjë kërcënim për të ardhmen nëse marrëveshja vazhdon.

“Për sa kohë vazhdon marrëveshja nuk ka kërcënim. Por edhe në rast se marrëveshja ndërpritet, nuk vihet në rrezik furnizimi me grurë pasi ka tregje të tjera, sigurisht me kosto më të lartë, por ka të tjera.” – argumenton ai.

Shifrat e INSTAT për këtë vit tregojnë se nga janari në shtator, Shqipëria ka importuar 121 mijë ton grurë. Sërish, peshën kryesore të importit e mbajnë Rusia dhe Serbia. Por në ndryshim nga 2021, këtë vit për shkak të bllokadës nga lufta, tregtarët shqiptarë kanë bërë blerje edhe në vende si Australia, Bullgaria dhe Spanja.

Ndërkohë, nëse shohim importet e dy vendeve nga viti 2019 e deri në shtator të këtij viti, bie në sy rritja e peshës së Serbisë dhe një zbehje e konsiderueshme e importeve të grurit me Rusinë.

Por krahas blerjeve të grurit në import, këtë vit për shkak të konfliktit Rusi-Ukrainë në Shqipëri janë shtuar edhe sipërfaqet e mbjella me grurë që synojnë të zbusin varësinë e lartë nga importi.

MBËSHTETJA PËR KULTIVIMIN E GRURIT VENDAS

Pasiguria që prodhoi konflikti Rusi-Ukrainë në tregjet botërore, detyroi qeverinë shqiptare që për herë të parë t’i shtonte skemës kombëtare të mbështetjes për bujqësinë edhe 500 milionë lekë si subvencion për kultivuesit e grurit. Skema parashikon mbështetje me subvencione direkte në vlerën e 30,000 lekëve për fermerët që kultivojnë mbi 1 ha grurë. Aplikimet u çelën më 1 shtator dhe përfunduan më 23 shtator.

“Sipërfaqja e mbjellë në shkallë vendi në vitin 2021 ka qenë 54,600 ha. Ndërsa në këtë skemë mbështetëse, ndonëse është kriter përfitimi sipërfaqja minimale e jo më e vogël se një ha, si dhe disa kushte të tjera që provojnë përdorimin e farës së çertifikuar dhe plehrave mineralë, është aplikuar për një sipërfaqe prej rreth 29,000 ha. Kjo sipërfaqe përfaqëson më shumë se gjysmën e sipërfaqës së mbjellë vitin e kaluar. Qartësojmë se sipërfaqja më e madhe e grurit mbillet kryesisht nga fermerë të vegjël, të cilët nuk përmbushin kriterin e madhësisë minimale të sipërfaqes për aplikim dhe prodhimi i tyre është kryesisht për vetëkonsum.”- sqaron në një përgjigje për Faktoje Ministria e Bujqësisë, duke shtuar se interesi i fermërëve për subvencionin e grurit ka qënë i lartë.

“Në këtë skemë mbështetëse kanë aplikuar gjithsej një numër prej 7,470 fermerësh dhe lista e fituesve është shpallur në faqen e internetit të AZHBR-së. Pas verifikimeve të nevojshme që po vijonë në terren për përmbushjen e kritereve të sipërfaqes së vetëdeklaruar nga fermerët në aplikim, do të bëhet edhe kalimi i vlerave përkatëse të lekëve në llogarinë bankare të fermerit. I gjithë procesi do të përfundojë brenda muajit dhjetor të këtij viti.”

Për ekspertët e bujqësisë, mbështetja për grurin këtë vit ishte jetike dhe duhet të vijojë. Profesor Doktor Abdyl Sinani thotë se skema do të ndihmojë konsumin e brendshëm.

“Mbështetja që dha qeveria për grurin për herë të parë do të rrisë sasinë e grurit. Krahas tregjeve të tjera të cilat u testuan kur ndodhi bllokimi, vetëm nga dhënia e parave për fermerët mendoj se sasia e grurit do te rritet me 20% këtë vit. Dhe kjo ndihmon pikë së pari për konsumin e brendshëm të fermerëve. Pra, me të dhënat që kemi deri tani, gruri për konsum është i siguruar por sërish situata është dinamike.” – thekson Profesor Sinani për Faktoje.

Edhe kryetari i Shoqatës së Fermerëve, Eduard Sharka vlerëson se mbështetja ishte masë e nevojshmë, por ai thekson se subvencioni duhet të vazhdojë për sa kohë ka pasiguri nga lufta në Ukrainë.

“Të jemi realistë e ndihmon, goxha sepse ka rritur interesin për të shtuar sipërfaqet e mbjella me grurë. Gruri është kulturë specifike që do sipërfaqe të mëdha, ndaj skema ka ngjallur interes tek sipërmarrësit e mesëm, sepse ata kanë sipërfaqe të mëdha dhe kanë mjetet e tyre. Ka ferma që kanë mbjellë mbi 50 ha apo mbi 100 ha tokë. Dhe për këta ka efektivitet skema dhe është ndihmë e konsiderueshme. Me mbjelljet e vjetshme ne siguronin rreth gjysmen e sasisë së nevojshme, mendoj që këtë vit e kalojmë.” – thotë Sharka për Faktoje.

Por pavarësisht ‘suksesit’ të skemës, qeveria nuk e ka vendosur vijimësinë e saj për vitin e ardhshëm.

“Skema kombëtare e mbështetjes për vitin 2023 është në proces diskutimi. Një qëndrim përfundimtar për vijimin e kësaj mase në vitin e ardhshëm do të mbahet pasi të bëhet një vlerësim më i plotë i efekteve të saj për vitin 2022.”-argumenton në përgjigjen e saj Ministria e Bujqësisë.

Sipas të dhënave zyrtare në rajon, Shqipëria dhe Mali i Zi kanë dhënë thuajse të njëjtën vlerë si mbështetje për kultivimin e grurit, ndërkohë që lënë pas Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Në rajon, mbështetjen më të lartë për grurin e jep Kosova.

VLERA E SUBVENCIONIT TË GRURIT PËR SIPËRFAQE
Kosovë                          474  EURO/HA
Shqipëri                        255 EURO/HA
Mali i Zi                        250 EURO/HA
Maqedoni e Veriut           200 EURO/HA
Serbi                                 68 EURO/HA

SERBIA, ‘HAMBARI’ I GRURIT PËR RAJONIN

Si Rusia, ashtu edhe Ukraina janë ndër eksportueset më të mëdha të drithërave në botë dhe lufta mes tyre ka shkaktuar çrregullime në tregje. Por sipas të dhënave zyrtare rezulton se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë varësi të drejtëpërdrejtë nga këto dy tregje. Shifrat tregojnë se Serbia është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i ushqimeve në rajon, kryesisht për drithërat.

KOSOVA

Të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave në Kosovë tregojnë se sasinë më të madhe të grurit vendi e importon nga Serbia, pasuar nga Hungaria, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina. Por gjithsesi, të dhënat tregojnë se pesha e importeve është rritur nga viti në vit. Kështu, importet nga Ukraina janë dyfishuar në vitin 2021 krahasuar me 2020, ndërkohë që vlera e importeve nga Rusia është rritur me afro 10%.

IMPORTET NGA RUSIA
2020           46 476 000 Euro
2021            51 339 000 Euro
IMPORTET NGA UKRAINA
2020           18 986 000 Euro
2021            36 662 000 Euro

 

MAQEDONIA E VERIUT

Maqedonia e Veriut importon rreth një të tretën e sasisë së nevojshme për grurë, kryesisht nga Serbia. Por prej nisjes së konfliktit vendi ka zgjeruar importet me Hungarinë, Rumaninë dhe Kroacinë. Të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikës tregojnë se këtë vit, nga janari në shtator, vlera e importeve nga Rusia është rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që blerjet e mallrave në Ukrainë kanë rënë.

IMPORTET NGA RUSIA
2020            129 937 435 Euro
2021            150 324 680 Euro
09- 2022      250 962 836 Euro
IMPORTET NGA UKRAINA
2020              89 736 178 Euro
2021            127 514 539 Euro
09-2022         74 371 984 Euro

MALI I ZI

Edhe Mali i Zi importet më të mëdha të grurit i ka me Serbinë. Por ndryshe nga Maqedonia e Veriut, një tjetër partner i rëndësishëm tregtar për grurin në Malin e Zi është Franca. Referuar të dhënave zyrtare nga Monstat, Zyra e Statistikave në Malin e Zi, rreth 54.2 përqind e grurit importohet nga Franca dhe 45.6 përqind nga Serbia.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara për tregtinë ndërkombëtare, COMTRADE, importet e Malit të Zi nga Rusia ishin 12.47 milionë dollarë në fund të 2021, ndërkohë që importet me Ukrainën 8.12 milionë dollarë.

SERBIA

Në ndryshim nga vendet e tjera, Serbia është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk u përball me rrezikun e mungesës së grurit edhe kur lufta në Ukrainë sapo kish filluar. Por sidoqoftë për shkak të pasigurisë në rritje nga konflikti, edhe Serbia mori masat e saj. Në fillim të marsit, Serbia vendosi kufizime në eksportin e grurit, miellit, misrit, drithërave dhe vajit të lulediellit. Më pas qeveria serbe lehtësoi masat dhe rinisi eksportet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, me argumentimin se do t’u jepte përparësi vendeve të Iniciativës për Ballkanin Perëndimor.

“Të gjitha vendet e rajonit kërkojnë sasi më të mëdha gruri dhe misri nga Serbia në krahasim me atë që kanë shpenzuar vitin e kaluar. Vetëm vendet e rajonit dhe Italia kërkojnë dërgimin urgjent të rreth 400,000 tonë grurë. Sasia në fjalë ndoshta shpjegohet më së miri kur dihet se rezervat totale të grurit në vendin tonë aktualisht arrijnë në 800 mijë tonë”, deklaroi asokohe Presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

Statistikat zyrtare tregojnë se partnerët kryesorë tregtarë të Serbisë janë Gjermania, Italia, Rusia dhe Kina, ndërkohë që Ukraina nuk mban peshë domethënëse.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!