Tunizi, atentate vetvrasëse në qendër të kryeqytetit

schedule08:15 - 28 Qershor, 2019

schedule 08:15 - 28 Qershor, 2019

Dy atentate vetëvrasëse kanë tronditur të enjten kryeqytetin e Tunizisë. Sulmet kanë patur si objektiv forcat e policisë, por kanë lënë të lënduar edhe shumë civilë.

Dy atentatorë u hodhën në erë në dy sulme të ndryshme vetëvrasëse në kryeqytetin e Tunizisë, në përpjekje për të goditur forcat e policisë. Për pasojë, një oficer humbi jetën, si dhe disa agjentë dhe qytetarë civilë mbetën të plagosur.

Ende nuk dihet se kush fshihet pas sulmeve, që vijnë disa muaj para një procesi zgjedhor dhe pikut të sezonit turistik, gjatë të cilit Tunizia shpreson të shënojë një numër rekord vizitorësh. Atentatori i parë vuri në shënjestër një patrullë policie në rrugën “Sharl de Gol”, në qendër të Tunizit, duke vrarë një oficer dhe plagosur një tjetër, bashkë me 3 civilë.

Të dhënat u konfirmuan nga Ministria e Brendshme vendase. Ndërkohë, sulmi i dytë u verifikua vetëm pak momente më vonë pranë një komisariati policie, duke lënë të plagosur 4 persona. Më pas, efektivë të forcave speciale rrethuan dy vendngjarjet, njëra prej të cilave ndodhej rreth 200 metra larg ambasadës franceze.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme tuniziane deklaroi se atentatorët nuk janë identifikuar ende, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen të fortë e të mos bien pre e panikut. Në shenjë sfide, rreth 300 persona u mblodhën në të njëjtën rrugë ku ndodhi një prej sulmeve, duke ngritur parulla të tipit “Nuk kemi frikë nga terrorizmi” dhe duke kënduar himnin kombëtar./ABC News Albania 24/7