Kreu i Partisë Demokratike dhe aletatë e tij kanë pasur takime gjatë ditës së sotme me Presidentin e Republikës Ilir Meta. Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi deklaroi pas takimit me Ilir Metën, se pritet që Presidenti të dekretojë një datë të re për zgjedhjet lokale, duke qenë se nuk e njeh më 30 Qershorin.
Ndërkohë, menjëherë pas deklaratës, Shehi së bashku me anëtarët e tjerë të Grupimit të Djathtë janë nisur drejt selisë blu, aty ku ndodhen në takim kryetari i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.
Pritet që në orët në vijim, si nga Presidenca ashtu edhe nga opozita, të ketë deklarata mbi një datë të re të mundshme për zgjedhjet lokale.
Sa i përket mazhorancës, Kryeministri Edi Rama ka reaguat në Twitter duke ironizuar takimet e sotme ku shkruan: “Zyrtare sot: Selia e opozitës rrugore është Presidenca e Republikës dhe udhëheqësi i katër galaktikëve të shtabit të revolucionit imagjinar për të mbrojtur me dhunë republikën e votën e popullit nga vetë populli, është vetë ai, Salvator Haxhi Qametaj. Çfarë karnevalesh politike. Qeshni me ta dhe me qetësi e dashuri t’u japim një mesazh kumbues të dielën,duke votuar ose mosvotuar,por duke qenë të gjithë bashkë në një mendje se Shqipëria s’mund të jetë kurrë, një shesh për përsheshin e gatuar tërë këta muaj, të cilin duhet ta hanë ata që na e servirën”.
Një ditë më parë kreu i qeverisë refuzoi ftesën e Metës për dialog duke theksuar se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 Qershor./abcnews.al