Ukraina duhet ta shfrytëzojë pauzën e dimrit për t’u përgatitur mbi ofensivat vendimtare në pranverë

schedule09:22 - 24 Nëntor, 2022

schedule 09:22 - 24 Nëntor, 2022

Nga Mark T.Kimmitt “Wall Street Journal

Përktheu Alket Goce-abcnews.al

Dimri po mbërrin, dhe ai do ta bëjë më të vështirë që Ukraina të vazhdojë përparimet e saj në fushën e betejës kundër Rusisë. Muajt e ardhshëm – të njohur nga historianët me termin ‘rasputitsa’, ose moçalishte – kanë qenë armiku i madh i ushtrive euroaziatike për shekuj me radhë.

Ushtarët e quajnë këtë periudhë si “Gjeneral Balta”, për të përshkruar kushtet e vështira mjedisore që i gjunjëzuan pushtuesit francezë dhe gjermanë të Rusisë në vitet 1812 dhe 1943.

Por moti i ashpër i dimrit duhet parë si një kohë shumë e vlefshme për të bërë përgatitjet e duhura për pranverën,dhe jo për të ndaluar të gjitha operacionet në terren.

Ukraina duhet të vazhdojë sulmet e saj me rreze të gjatë kundër depove ruse me municione,  qendrave të komandës dhe linjave të furnizimit. Po ashtu, me ndihmën e NATO-s, Kievi duhet të nisë një përpjekje të qëllimshme për të rindërtuar forcën e tij ushtarake në kohë për kundërsulmet e pranverës së vitit 2023.

Përgatitjet që duhet të bëjë Ukraina janë të dukshme: Forcim i pozicioneve mbrojtëse përgjatë vijës aktuale të frontit, integrimi i trupave zëvendësuese në njësitë e rregullta, dhe pajisja e ushtarëve me veshjet dhe pajisjet dimërore. Ky është lajtmotivi i çdo ushtaraku pas një fushate të gjatë, por do të ishte një mundësi e humbur nëse do të ndaleshin deri këtu, raporton abcnews.al.

Sepse Ukraina ka nevojë për një qasje më gjithëpërfshirëse, e cila duhet të përshpejtojë shpërndarjen e stoqeve ende të mëdha ushtarake dhe kapaciteteve stërvitore të vendeve të NATO-s për të rigjeneruar ushtrinë e saj, ndërsa kundërshtari i saj po përpiqet të ri-furnizojë trupat e veta dhe të përfshijë në luftime rezervat e saj të sapo-mobilizuara.

Sipas kësaj strategjie të re, aleatët nuk duhet vetëm të vazhdojnë të ri-furnizojnë me pajisje dhe municione, me raketat HIMARS dhe me mjete të mbrojtjes ajrore. Ata duhet edhe të  zhvillojnë konsultime të vazhdueshme me ushtrinë ukrainase, për planifikimin në detajetë operacioneve të ardhshme të cilat duhet të bazohen në mësimet e nxjerra nga fushatat e këtij viti, për të qenë më të përgatitur për atë që pritet të ndodhë në vitin 2023.

Po ashtu, NATO i ka mundësitë  të dyfishojë përpjekjet e saj për të trajnuar udhëheqësit kryesorë dhe njësitë ushtarake jashtë Ukrainës, për të pasur një nivel ekspertize shtesë mbi operacionet dhe riparimin e pajisjeve perëndimore.

Në fushën e betejës, Perëndimi duhet të forcojë mbështetjen e tij për fushatën e bombardimeve të ushtrisë ukrainase kundër depove të furnizimit, rrugëve logjistike, qendrave të komandës dhe njësive të mbështetjes së nivelit të dytë shumë përtej vijave të frontit rus.

Ajo do të pengojë përpjekjen e Rusisë për të rigjeneruar fuqinë e saj luftarake, pavarësisht mbërritjes së trupave të sapo-mobilizuara dhe dronëve iranianë. Këto përpjekje mund të plotësohen me sulme lokale kundër forcave ruse sa herë që krijohet mundësia.

Mbajtja e angazhuar e rusëve me ruajtjen e fuqisë së tyre luftarake, dhe parandalimi i aftësisë së tyre për të kryer operacione tokësore, do të jetë siguria më e mirë për të parandaluar çdo lloj kundërsulmi nga lindja gjatë stinës së dimrit. Këto aktivitete ushtarake duhet të mbështeten nga një fushatë të fuqishme diplomatike dhe informative, raporton abcnews.al.

NATO ka treguar një unitet të jashtëzakonshëm, por mbështetja e saj ndaj Ukrainës nuk mund të merret si e mirëqenë. Në kushtet e një inflacioni vazhdimisht të lartë, rritjes së kostove të karburantit dhe progresit të ngadalshëm në terren, udhëheqësit mund të presin edhe një rënie të mbështetjes publike të vendeve të tyre për këtë luftë, sidomos nëse qytetarët nuk shohin një arsye bindëse se pse duhet të vazhdojë mbështetja ndaj Ukrainës.

Ndërkohë duhet të vazhdojnë përpjekjet diplomatike për ta izoluar Rusinë nga komuniteti ndërkombëtar në përgjithësi, si dhe nga dërgesat e armëve nga vende si Bjellorusia, Koreja e Veriut dhe Irani. Perëndimi duhet të ushtrojë presion ndaj aleatëve që janë neutralë në raport me këtë konflikt, përfshirë Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që të mbajnë një qëndrim të vendosur ndaj luftës në vend dhe jo të përpiqen të bëjnë biznes me të dyja palët.

Këto përpjekje diplomatike duhet të vazhdojnë jo vetëm për ta ndëshkuar Vladimir Putinin, por edhe për të nisur hedhjen e themeleve për negociatat e ardhshme – perspektivat e të cilave nuk duhet të shpërfillen ose nënçmohen në mënyrë të njëanshme, duke pasur parasysh se shanset e humbjes apo tërheqjes së Rusisë nga Ukraina, përfshirë Krimenë, janë larg nga të qenit të sigurta.

Ushtria ruse, që vepron si brenda edhe jashtë Ukrainës, ka të ngjarë ta vazhdojë fushatën e saj të qëllimshme të bombardimeve kundër qyteteve dhe infrastrukturës kritike. Por forcat e saj tokësore duket se nuk janë në gjendje të bëjnë asgjë më shumë se të kryejnë kundërsulme lokale, të forcojnë linjat e saj të mbrojtjes, dhe të fillojnë integrimin e rezervistëve të sapo-mobilizuar.

Për të hartuar një plan mbi një fushatë re ushtarake, planifikuesve ushtarakë dhe atyre të logjistikës u duhen qindra faqe për udhëzimet dhe afatet kohore të nevojshme. Megjithatë komandantët pritet të japin me sa më pak fjalë qëllimin e tyre, që shërben si një element kyç i fushatës.

Gjenerali amerikan, Dwight Eisenhower, ua paraqiti shumë thjesht vartësve qëllimin e tij për të mposhtur ushtrinë e Hitlerit: “Ju do të zbarkoni në Evropë, dhe bashkë me vendet e tjera aleate, do të kryeni operacione që synojnë depërtimin në qendër të Gjermanisë dhe shkatërrimin e forcave të saj të armatosura”.

Edhe synimi i zotit Zelensky këtë dimër duhet të jetë po aq i thjeshtë: “Ju do të përforconi dhe rigjeneroni ushtrinë në bashkëpunim me NATO-n për ta dëbuar ushtrinë ruse nga Ukraina, për të pranuar dorëzimin e saj ose për të përfunduar shkatërrimin e saj në fushën e betejës”, raporton abcnews.al.

Forcat ruse ka të ngjarë të mos rikthehen në kufijtë para pushtimit deri në fund të këtij viti. As Krimea nuk do të jetë çliruar brenda këtij dimri. Por me rindërtimin, planifikimin dhe stërvitjen e duhur këtë dimër, përveç rifillimit të ofensivave të Ukrainës menjëherë pas shkrirjes së dëborës në pranverë, këto nuk janë synime të paarsyeshme apo të paarritshme për vitin 2023.

Shënim:Mark Kimmitt, gjeneral brigade në pension i ushtrisë amerikane. Gjatë viteve 2008-2009 ka qenë ndihmës/sekretar i shtetit për çështjet politiko-ushtarake.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!