Dështimi i tryezës së bisedimeve në Bruksel ndërmjet Kurtit dhe Vuçiç është komentuar në studion e ABC Live në një bashkëbisedim me gazetaren Sibora Bitri nga analisti i njohur Mentor Nazarko si një lëvizje e fortë dhe e drejtë e kryeministrit Kurti.
Kështu, sipas Nazarkos për hir të së vërtetës, levizja e fundit ishte e saktë, ndonëse ka ngjallur mjaft kritika. E gjitha kjo ndodh kur në lidhje me dialogun, Kurti po luan herë me një fuqi të madhe, herë me një tjetër, duke u endur ndërmjet SHBA dhe shteteve të caktuara të Bashkimit Europian.
Duket se në tërësi ai ka privilegjuar aksin e BE, por veprimi i tij të fundit, për shtyrjen 48 orë pas ndërhyrjes së ambasadorit amerikan në Kosovë, po privilegjon Shtetet e Bashkuara. Gjithsesi në këtë lojë diplomatike lidhur me dialogun do sugjeroja që ai të këshillohej të ketë ekspertë të mirë, një ekip amerikan mundësisht, si paraardhësit e tij duke nisur nga Rambujeja.
‘Për hir të vërtetës, lëvizja e fundit e Z. Kurti, ndonëse duket si destruktive, në fakt e lë topin tek Serbia, duke e nxjerrë Kosovën si konstruktive, të interesuar për ta mbyllur sa më shpejt dialogun, brenda datës 21 mars 2023 ( ndonëse paradoksale me prioritetet e qeverisë së tij kur dialogu ishte në plan të fundit). Kjo lëvizje e fortë, e nxorri atë si kritik (në publik) të ndërmjetësit, konkretisht të BE, të vetë Borrelit, pasi Kurti ka kuptuar që Serbia ka hezitime për miratimin e shpejtë të atij plani. Sepse duhet saktësuar: Serbia polifonike nuk e ka refuzuar planin franko – gjerman. Vuçiç pershembull nuk ka qenë i zëshëm kundër planit. Kurti ka parë se Vucic në biseda jo publike, nuk ka qenë dakort për datën 21 mars, ndaj ka bërë një gjest të fortë duke refuzuar marrëveshjen për targat, të cilën ka dashur ta relativizojë: duke thënë as unë, as Vuçic nuk merremi me targa ( kështu ka lënë hapësirë për negociatat 38 orëshe të koordinatorëve të dialogut. Ngjan se Kurti don që edhe asocacioni të përfshihet brenda marrëveshjes së madhe, dhe insistimi i tij në publik për datën, pasi ka shpenzuar fjalë të mira në publik për Planin, bën që topi të mbetet te Serbia. Për hir të vërtetës, Kurti këto dy javët e fundit, ka lëvizuar në tehun e shpatës: refuzimit të Blinken;, përqafimit bosh të Makronit, (Francës), kritikës për Borrelin dhe lavderimit të ambasadorit Hovenier. Në këtë lojë ngjan se ka treguar koherencë- merremi me pikturën e madhe dhe jo me targat, ndaj me gjasë nxori bllof dhe Makronin që ftoi dy çifte familjare me shpresën për marrëveshje për targat .
Për Nazarkon nëse Kosova do të kishte zgjedhur që në fillim një kompani amerikane, që do ta këshillonte për dialogun, Kosova do të kishte dhe ekspertizë të klasit të parë, dhe kanale komunikimi të privilegjuar me SHBA-të pa u konfliktuar me ta në publik, si ndodhi me Blinken, Hill apo dhe Hovenier. Ajo çka është shqetësuese, sipas Nazarkos: të gjithë këto lëvizje të tij me karakter taktik, po përkthehen nga ushtria dixhitale e vetëvendosjes si rast për me sulmuar politikanë të caktuar të SHBA dhe BE, duke nxitur frymë anti ndaj krijuesve të Kosovës dhe kjo është vetëshkatërruese. Nazarko e shihte të lidhur fatin e liberalizimit të vizave me perfundimin e dialogut. Ai ofroi një lexim alternativ për krahasimin e konfliktit Rusi Ukrainë me atë Serbi-Kosovë dhe ironizoi me përpjekjen zbuluese a ndriçuese që vjen nga Kosova kah Perëndimi për lidhjet e Serbisë me Rusinë. Vërtet ka mbetur kaq keq Perëndimi për t’u informuar nga Kosova për këto lidhje?- tha ai.