Veprimtaria Prodhuese “OK” për Portin e Durrësit, Mziu: Alabbar investitor te aleati i Putinit

schedule13:40 - 21 Nëntor, 2022

schedule 13:40 - 21 Nëntor, 2022

Miratohet në Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese marrëveshja e Portit të ri të Durrësit.  Ky është një tjetër Komision që ka vendosur “pro” marrëveshjes për Portin e Durrësit.

Në mbledhje pati diskutime por edhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës. Deputetë të opozitës kanë kundërshtuar këtë projekt, duke theksuar se marrëveshja nuk ka transparencë, duke akuzuar gjithashtu qeverinë “Rama” për korrupsion.

Deputeti demokrat Lefter Gështenja ka akuzuar qeverinë se nuk po bën transparencë për marrëveshjen për Portin e Durrësit. Në komisionin e Veprimtarisë Prodhuese, Gështenja thotë se PD nuk është kundër zhvillimeve tha se ky projekt i është një kompanie pa garë.

Lefter Gështenja: Nëse 2.1 mld është vlera më e madhe e investuar në këto 30 vjet në Shqipëri duke qenë hera e parë do thosha që ky projektligj s’ka asnjë arsye të bëhet me procedurë të përshpejtuar por shqiptarët s’kanë prona për të humbur ndaj duhet ta marrim pak më shtruar. Mënyra si është proceduar lë shije të keqe, e thënë ndryshe kësaj pune i vjen era se ka nisur me zoti Muhamed e po përfundon me zotin Ramazan. Shqiptarët kërkojnë transparencë, tani që erdhi marrëveshja në parlament po marrin vesh çfarë po ndodh, 1 vit që negocion qeveria, a ka transparencë? Në materialet e ardhura për deputetët pas një presioni të madh në Parlament janë përsëri të paplota.

Kreu i partisë Agrare Ambientaliste ngriti shqetësimin nëse Porto Romani i plotëson kushtet për t’u kthyer në një port tregtar. Drejtori i Autoritetit Potual Pirro Vengu thotë se analizohet çdo detaj, ndërsa bën me dije se shumë shpejt do hapet tenderi për portin e ri tregtar të Durrësit në Porto Romano.

Xhelal Mziu: Nuk kemi pasur as konkurrencë. Sa është kostoja reale e çmontimit dhe transportit të këtij porti për të shkuar diku tjetër. A e justifikon këtë lloj përfitimi që kemi deri më sot? Alabbar me shumë bujë po i bëni jehonë si një person që do sjellë risi por në Kroaci e Serbi jo vetëm që nuk ka mbaruar por po zgjatet tej afateve që ishin vënë. Muhamed Alabbar, një investitor strategjik që po u bëni jehonë që do sjell  risi, në Kroaci dështoi? Në Serbi, ku pati terma kontrate shumë më përfituese, në Serbi po zvarritet tej afateve që ishin dhënë. Ky Muhamed Alabbar është investitor strategjik në Bjellorusi, aleat i Putinit, si mund ti japim një pikë kaq strategjike një personi që ka prapavijë Rublën?”, tha Mziu.

Kreu i Komisionit, Arben Pëllumbi: Ai nuk është Alabbar ai është zoti Alabbar një figurë e nderuar, themelues i Emaar, kryetari i bordit të Emaar është mendja e tij që transformoi atë qytet. Një njeri që arrin të sigurojë 2 miliardë të ardhura në vit personale, i lind nevoja të formojë një grup kompanish. Të mos flasim me konotacione sikur ca po ndodh..

/abcnews.al/