Nga Gerta Vasku
Pluhurat dhe shkurret janë shkaktarët kryesorë të shfaqjes së alergjisë në stinën e vjeshtës. Mjekët alergologë thonë se ka pasur një shtim të pacientëve me alergji gjatë kësaj periudhe. Ndërthurja edhe me virozat ka bërë që gjendja e disa pacientëve të rëndohet.
“Pluhurat e shtëpisë janë shkaktarët kryesorë, të 70% të alergjive. Kështu që pacientët që janë alergjikë nga pluhurat e shtëpisë tani agravohen. Problem i dytë janë virozat. Në këtë stinë janë të shpeshta dhe ka një lidhje të ngushtë mes virozave dhe alergjisë. Problem i tretë janë shkurret. Ndër shkurret kryesore për Shqipërinë është trëndafili i egër. Tani kemi një rritje të prevalencës së sëmundjeve alergjike për shkak të këtyre faktorëve.”
Mjeku alergolog në QSUT, Mehmet Hoxha këshillon që pacientët nuk duhet të marrin mjekim pa u konsultuar.
“Trajtimi duhet të jetë specifik. Së pari duhet të identifikohet shkaktari duhet të jetë mjekim specifik. Ju lutem jo antibiotikë. Dhe mbi të gjithë është vaksinimi ose imunoterapia.”
Alergologu tregon një sërë simptomash të alergjive, të cilët shpesh ngatërrohen me virozat.
“Alergjitë duhet të diferencohen për shkak të spimtomave të tyre relativisht specifike. Ka dy kritere madhore që duhen të bëjnë pacientin që të dyshojë se jemi përballë një subjekti alergjik. Është ritmiciteti dhe periodiciteti. Shfaqja në periudha të caktuara. Së dyti ka një cikël kohor të përcaktuar. Psh. Akarienet e kanë herët në mëngjes, shkurre gjatë ditës. Nëse një pacient i ka të njëjta simptoma dhe agravohen në këto periudha atëherë duhet të mendojë që nuk është thjeshtë virozë por alergji. Problem i dytë është temperature. Sëmundjet alergjike nuk shoqërohen me temperature. Problem i tretë është se viroza më e keqe zgjat maksimuni katër ditë dhe alergjitë zgjasin në kohë.”
Fëmijët janë më të rrezikuarit nga alergjitë e kësaj stine. Megjithatë, nuk përjashtohen grupmoshat e tjera. /abcnews.al/