Përplasen në ajër dy avionë luftarakë

schedule23:40 - 24 Qershor, 2019

schedule 23:40 - 24 Qershor, 2019

Dy avionë të forcave ajrore të Gjermanisë janë përfshirë në një incident ditën e hënë, si pasojë e të cilit ka gjetur vdekjen njëri prej pilotëve. Autoritetet gjermane kanë deklaruar se avionët nuk kishin mjete luftarake në momentin e incidentit, për zbardhjen e të cilit ka nisur një hetim.

Dy avionë luftarakë gjermanë janë përplasur të hënën në veri-lindje të Gjermanisë, ku për pasojë një prej pilotëve ka gjetur vdekjen. Sipas mediave gjermane, edhe pse të dy pilotët arritën të hidheshin me parashutë, vetëm njëri prej tyre mbijetoi.

Një nga dy avionët, të tipit “Eurofajter”, u rrëzua në një pyll, ndërsa tjetri në një fshat rreth 10 kilometra më larg – bëri të ditur Ministria e Brendshme gjermane. Sipas burimeve, piloti që mbijetoi u gjet i varur në një pemë nga ekipet e shpëtimit.

Përplasja ndodhi teksa avionët po kryenin një seancë stërvitore, ku merrte pjesë edhe një avion i tretë. Piloti i këtij të fundit raportoi se e pa përplasjen dhe më pas dy parashuta në ajër.

Forcat ajrore gjermane bënë të ditur se asnjë nga mjetet luftarake nuk mbante me vete armatime në momentin e përplasjes. Ndërsa kur ranë në tokë, në të dyja vendngjarjet ranë zjarre të përmasave të vogla, që u shuan nga repartet e zjarrfikësve.

Pilotit që mbijetoi iu desh të merrte ndihmë mjekësore kur u gjet nga skuadrat e shpëtimit, ndërsa kolegu i tij u gjet i pajetë kur këto të fundit mbërritën. Ndërkohë, mbi ngjarjen është hapur një hetim për përcaktimin e shkaqeve të incidentit./ABC News Albania 24/7